Kryeministrja e parë femër e Suedisë rikthehet sërish në detyrë pas dorëheqjes

Kryeministrja e parë femër e Suedisë është riemëruar në postin e lartë pasi trazirat politike e detyruan atë të jepte dorëheqjen brenda disa orësh nga marrja e detyrës javën e kaluar.

Deputetët mbështetën udhëheqësen e Partisë Social Demokrate, Magdalena Andersson me një diferencë të ngushtë në një votim të ri të hënën.

Ajo do të përpiqet të udhëheqë një qeveri njëpartiake deri në zgjedhjet në shtator të vitit të ardhshëm.

Ajo u largua nga posti i kryeministres të enjten e kaluar pasi koalicioni i saj u shemb duke dhënë dorëheqjen brenda pak orësh.

Vetëm disa orë më parë, Andersson ishte zgjedhur si kryeministrja e parë femër e Suedisë me një votim të vetëm në parlament.

Por plani i ekonomistes 54-vjeçare për të formuar një qeveri të re në koalicion me Partinë e Gjelbër nuk funksionoi kur propozimi i saj buxhetor nuk u miratua.

Parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga një grup partish opozitare, duke përfshirë Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë.

Partia e Gjelbër tha se nuk do të pranonte një buxhet të hartuar nga e djathta ekstreme dhe u largua nga qeveria, duke çuar në rënien e saj.

Sipas konventës, kryeministri në Suedi pritet të japë dorëheqjen nëse një parti e koalicionit largohet nga qeveria.