Republika më e re në botë, Barbados ndërpret lidhjet me mbretëreshën Elizabeth

Barbadosi do të ndërpresë përfundimisht lidhjet me Mbretërinë duke u shpallur republikë, ndërsa monarkja 95-vjeçare, Elisabeta e II nuk do të jetë më në krye të shtetit ishullor.

Sandra Mason, një ish-juriste 73-vjeçare, do të betohet si presidentja e parë e vendit me pak më pak se 300,000 banorë në një ceremoni të posaçme. Parlamenti e zgjodhi Mason muajin e kaluar.

I pranishëm në festime do të jetë Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik dhe kreu i ardhshëm i Commonwealth, një organizatë prej 54 anëtarësh e ish territoreve britanike. Ai do të riafirmojë gjithashtu marrëdhënien e tij me vendin, të cilin ai e vizitoi për herë të parë 50 vjet më parë.

"Partneriteti i ngushtë dhe i besueshëm midis Barbados dhe Mbretërisë së Bashkuar si anëtarë jetik të Commonwealth; vendosmëria jonë e përbashkët për të mbrojtur vlerat që të dy i çmojmë dhe për të ndjekur qëllimet që ndajmë do të na bashkojnë gjithmonë", pritet të thotë trashëgimtari i fronit.

Vendimi i Barbados shënon herën e parë në gati tre dekada që një mbretëri ka zgjedhur të heqë monarkun britanik si kreun e shtetit. Kombi i fundit që e bëri këtë ishte ishulli i Mauritius në 1992. Ashtu si ai vend, edhe Barbados synon të mbetet pjesë e Commonwealth.

Mbretëresha është ende kreu i shtetit në më shumë se një duzinë vende të tjera që më parë ishin nën sundimin britanik, duke përfshirë Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Xhamajkën.