Festë me tupana në Dibër, hapet provizorisht Rruga e Arbrit, dalin nga tuneli makinat e para. E plotë në pranverë

Rruga e Arbrit hapet plotësisht për udhëtarët në prill të vitit tjetër. Qeveria hapi Rrugën e Arbrit me një ceremoni festive në Qafën e Murrizit. E premtuar prej dekadash, rruga do të jetë terësisht e përfunduar në prillin e ardhshëm.

Pas 12 vitesh nga nisja e punimeve, Rruga e Arbrit është hapur duke shkurtuar distancën mes Tiranës e Dibrës.

Edhe pse punimet nuk kanë përfunduar ende, kryeministri Edi Rama ka inauguruar çeljen e saj së bashku me urimin për ditën e çlirimit dhe të pavarësisë.

Ceremoninë kreu i qeverisë e zhvendosi në Qafën e Murrizit, ku e pritën me tupane dhe veshjet e zonës.

Madje për të ilustruar fluksin e mjeteve që do të kalojnë, tuneli mbeti për pak minuta i bllokuar.

Ministrja Belinda Balluku sqaroi se aksi do të jetë i përfunduar në prillin e vitit të ardhshëm.

Belinda Balluku: 69 km nga Tirana në Maqellar, në kontratën e koncesionit jane 54 km, 48 km i dorëzojme sot për përdorim. Siç e keni parë edhe gjatë kalimit tuaj pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur me një baypass 8.8km provizor, po hapet në formë provizore.

Në vitin 2013 ish-kryeministri Berisha deklaroi se kishte përfunduar ndërtimi i 32 kilometër të Rrugës së Arbrit.

Pas rotacionit të qeverisë aksi u dha me koncesion prej 13 vitesh, ku investimi shkon në rreth 300 milionë euro.