Festa e Çlirimit rikthen debatin për figurën e Enver Hoxhës

Në 77-vjetorin e Çlirimit, socialistëve u ka plasur sërish debati për qëndrimin që duhet të mbajnë për figurën Enver Hoxha.  Deputeti Bujar Çela që uroi festat me një foto të diktatorit, e mbrojti këtë qëndrim, ndërsa Taulant Balla tentoi ta relativizonte skandalin në Fier. Ndërsa komunistët, provokuan nga Shkodra, duke deklaruar se në Shqipëri nuk ka ligj që i ndalon fotot e Enver Hoxhës dhe simbolet komuniste.

Një urim në grupin e “Whatsapp” të Komisionit të Sigurisë, nga deputeti socialist Bujar Çela riktheu debatin e fortë për figurën e Enver Hoxhës në Shqipëri.

I zgjedhuri i qarkut të Fierit, jo vetëm që nuk tërhiqet nga qëndrimi i cilësuar skandal, por e thelloi më tej në 77-vjetorin e Çlirimit.

 “Unë i përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj se figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka dhe ai kontributin e vet në luftë përderisa nuk kemi udhëheqës tjetër që e kanë thirrur këtë luftë. Nëse ka ndonjë udhëheqës tjetër që pretendon se gjyshja apo stërgjyshja tjetër e ka thirrur këtë luftë të shprehet historianët janë aty.Shumë herë padrejtësisht kemi bërë bërë armiq e kriminelë e më pas i kemi rehabilituar. Nga Balli Kombëtar tek Legaliteti.“

Pas kritikave publike që ka marrë, deputeti socialist tha ai nuk mund të harrojë historinë.

“Në atë komision ka njerëz që janë nipër të Isa Toskës. Unë nuk jam nipi  Enver Hoxhës por si të gjithë shqiptarët nuk mund të harroj historinë nga e cila kemi ardhur si komb” tha Çela.

Ndërsa Bujar Çela thellonte qendrimin dhe mbronte Enver Hoxhën në Lushnje,  Taulant Balla nga Fieri përpiqej ta relativizonte skandalin.

“Kam marrë paraprakisht një sqarim nga deputeti në fjalë. Bëhet fjalë për përdorim të aparatit celular nga persona të tjerë. Do të jetë verifikim në aspektin e sjelljes dhe kodit të etikës brenda grupit tonë parlamentar dhe Kuvendit të Shqipërisë. Gjithçka e çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të bëhet ku proces verifikimi”.

Simbolet komuniste dhe ithtarët e Enver Hoxhës u shfaqën edhe në Shkodër, nga ku kreu i PKSH, sfidoi se nuk ka ligj që i ndalon.

"Këto simbolike janë prezente sepse Partia Komuniste e Shqipërisë është një nga partitë që bën pjesë në spektrin e partive të Shqipërisë me ligj. Ne kemi të drejtën ligjore të konkurrojmë në zgjedhje, të bëjmë propagandë. Sa i përket fotografisë së Enver Hoxhës, Enver Hoxha e ka zënë vendin në histori dhe nuk ka burrë ta shkundë. Pa Enver Hoxhën si udhëheqës i popullit shqiptar, pa Partinë Komuniste nuk do të kishte as LANÇ dhe pa Luftë Nacional Çlirimtare nuk do të kishte sot Shqipëri por do të ishte e copëtuar midis Greqisë, Jugosllavisë dhe vendeve të tjera.Nuk ka asnjë ligj që ndalon  fotografitë e Enverit dhe simbolet e Partisë Komuniste. Kur ta bëjë Alibeaj i parlamentit, nipi i kryeballistit të Mallakastrës, kur ta bëjë ligjin në Parlament ne do të respektojmë ligjin. Enver Hoxha nuk është diktator, ai nuk vrau shqiptarët por raksionarët. Enver Hoxha është diktator i diktaturës së Proletariatit , shteti jonë nga 1944 në 1990 ka qenë shtet diktaturës së Proletariatit, diktaturë në emër të shumicës. Klerikët dhe intelektualët i vrau se u bënë agjenturë e Romës, e italianëve, e fashistëve, e serbë, malazezëve dhe dreqit. Këto nuk janë krime, bota i ka dënuar kolobracionistët, i ka futur në burg, i ka pushkatuar. 12 mijë veta  i ka pushkatuar presidenti De Gol në Francë për bashkëpunim me gjermanët".

Debati për simbolet e komunizmit në Shqipëri vijon prej gati 3 dekadash, ndërsa fotografitë e dikatorit shfaqen në publik sa herë që ka aktivitete që përkujtojnë Luftën Nacional Çlirimtare.