Nis kalvari i vuajtjeve për Thethin, bora e parë bllokon rrugën, ARRSH asnjë masë (VIDEO)

Disa fshatra nga jugu në veri janë izoluar pas reshjeve të dëborës dhe stuhisë më erë e shi që ka përfshirë vendin. Në shumë rrugë nacionale ka rrëshqitje gurësh e dherash, çka e bën lëvizjen të rrezikshme. Ndërkohë dhjetra fshatra janë në terr pasi era ka shkatërruar rrjetin elektrik.

Reshjet intensive të dëborës të kësaj të hënë, bllokuan sërish fshatin turistik të Thethit në Shkodër.

Nga Qafa e Thorës, deri në brendësi të fshatit rruga ishte e pakalueshme dhe shumë mjete mbetën të bllokuar.

Autoriteti Rrugor që ka në varësi këtë aks nuk ka marrë asnjë masë për dërgimin e fadromave atje që të bëjnë pastrimin e borës, ndaj banorët atje janë detyruar të ndërhyjnë vetë.

Dimri zyrtarisht ka trokitur në njësinë administrative të Kelmendit në zonën e Malësisë së Madhe, ku trashësia e borës ka arritur në 15 cm.

Probleme janë paraqitur edhe me qarkullimin e mjeteve, kur për makinat e ulëta këshillohet përdorimi i gomave dimërore, ndërsa në zonë ka probleme me energjinë.

Edhe në zonën e Dukagjinit moti ekstrem me reshje e erë ka krijuar shkëputje të energjisë dhe probleme në lëvizje.

Reshjet e dëborës u rikthyen në zonat malore në Kukës e Dibër, ku për pasojë të rrëshqitjeve të gurëve e dherave ka probleme në rrugë.

Dëbora u rikthye edhe në zonat malore të juglindjes, ndërsa në Librazhd dhe bashkitë jugore ka fshatra të bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të rrugëve.

Disa dhjetra fshatra në të gjithë vendin kanë probleme me energjinë elektrike për shkak se stuhia ka dëmtuar rrjetin shpërndarës.