Omicron mbyll kufijtë, mjekët e Afrikës së Jugut: Varianti i ri ka simptoma të lehta

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron është duke u përhapur në shumë vende të botës, ndërsa shumë shtete kanë vendosur masa kufizuese udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut, ku u identifikua fillimisht ky variant.

Varianti Omicron mendohet se është më infektues se variantet e tjera edhe pse ekspertët ende nuk kanë zbuluar nëse ka simptoma më të rënda.

Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron ishte një variant shqetësues. Ekspertët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90% e rasteve të reja janë me variantin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve.

Raste me variantin e ri janë regjistruar edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Bocvanë, Izrael, Australi, Hong Kong e Çeki, ndërsa në Austri po hetohen disa raste të dyshuara me omikron. Më 27 nëntor, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson njoftoi se të gjithë personat që do hyjnë në vendin e tij duhet të kryejnë testin PCR dhe të karantinohen deri në daljen e përgjigjes.

Edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime udhëtimi me shtetet në jug të Afrikës.

Me gjithë studimet që po kryhen nga ekspertët, Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut deklaroi se dy persona që u infektuan me omikron nuk janë sëmurur rëndë.