Pavarësia nuk i shuan inatet, Rama e Meta shmangin takimin në Vlorë, Basha qëndron në Tiranë

Edhe 109 vjetori i pavarësisë i gjeti të përçarë krerët e shtetit dhe politikës shqiptare. Presidentin dhe Kryeministrin i bëri bashkë në Vlorë vetëm protokolli, ndërsa opozita festoi në Tiranë edhe ditën e Çlirimit. Vetëm Kreu i Shtetit shfrytëzoi rastin të përcillte mesazhin e bashkimit, ashtu si qytetarët.

Presidenti Ilir Meta mbërriti i pari në Vlorë për kremtimin e 109 vjetorit të pavarësisë e pak sekonda pas tij kryeministri Edi Rama.

Të dy ruajtën ritmin e hapava në mënyrë që në krah të njëri-tjetrit të ishin vetëm kur i detyroi protokolli shtetëror për ngritjen e flamurit.

Shmangia e takimit dhe qëndrimi treguan se as festa kombëtare nuk i kishte shkrirë akujt mes tyre.

Kur u nisën për homazh tek Monumenti i Pavarësisë, mes presidentit e kryeministit qëndroi kryetarja e parlamentit.

Veç Ilir Metës, Edi Rama në Vlorë nuk e fshehu armiqësinë as me kryebashkiakun Dritan Leli, të cilin e anashkaloi dukshëm.

Pas kësaj shfaqje që edhe një herë reflektoi përçarjen e politikës shqiptare, i vetmi që reflektoi ishte presidenti Ilir Meta.

Nga qyteti i Flamurit ai kishte një mesazh.

"Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi, kudo për të gjithë shqiptarët sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve.Është flamuri i Ismail Qemalit, po është edhe flamuri i Isa Boletinit.Është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar, në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në Bashkimin Europian".

Në kohën që presidenti takonte dhe uronte shqiptarët për ditën e Flamurit, Edi Rama kishte hapur regjinë e tij për nisjen e punimeve për aeroportin e Vlorës.

Kreu i Shtetit sërish foli me simbolikë.

"Vlora do të jetë në krye të bashkimit në të gjitha kohët, siç ka qenë gjithmonë, me patriotizëm, për të mirën e Shqipërisë".

Për bashkim ishte mesazhi për politikën edhe nga qytetarët e shumtë të mbërritur në Vlorë thuajse nga të gjitha trojet shqiptare.

"Një komb i vetëm padiskutim, vetëm bashkim."

Ndërsa demokratët me Lulzim Bashën në krye nuk e prishën traditën e së djathtës që më 28 Nëntor, veç pavarësisë kremtojnë edhe ditën e Çlirimit me homazhe në Monumentin “Nënë Shqipëri”.