Shtohen infektimet me Covid mes fëmijëve, Kuli: 50% e kapacitetit në pavion është ezauruar
Prania e nxënësve në klasa, është ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së numrit të infektimeve mes fëmijëve. Shefja e Pediatrisë, Gjeorgjina Kuli, thotë se pavarësisht kësaj, numri i shtrimeve në spitale vijon të jetë i njëjtë. Lidhur me vaksinimin e fëmijëve, më të interesuar janë ata me sëmundje kronike.
Në muajin e dytë të hapjes së shkollave është vënë re një rritje e infektimeve te fëmijët.
Shefja e Pediatrisë, Gjeorgjina Kuli, e pranon këtë fakt por thekson se shtrimet në spitale vijojnë të jenë me të njëjtat ritme.
"Kemi rritje të incidencës së infeksionit te fëmijët ndoshta e favorizuar dhe nga frekuentimi direkt i institucioneve fëminore dhe shkollave por fatmirësisht numri i rasteve të shtruara apo komplikacioneve nuk është i madh."
Nëse situata e infektimeve në shkolla përkeqësohet skenarët e menaxhimit janë gati, si ai me mësim të alternuar, por aktualisht po funksionon online për ata që janë infektuar.
"Klasat që kanë pasur të infektuar kanë kaluar në mësim online."
Në Infektivin e Pediatrisë janë të ezauruara 50% të kapaciteteve, ndërsa mosha që ka nevojë për trajtim është ajo nën 1 vjeç.
"Ka momente që reparti i Covidit të fëmijëve është në kapacitetet 80%, për momentin jemi te 50% i kapacitetit. Kryesisht në spital shtrohen moshat e vogla, kemi disa fëmijë në moshën nën 1 vjeç dhe vetëm një fëmijë të rritur."
Lidhur me vaksinimin e fëmijëve, interes më së shumti kanë prindërit, fëmijët e të cilëve, kanë sëmundje kronike.
"Kemi interes nga prindërit për fëmijët që kanë sëmundje kronike të cilat kanë nevojë për vaksinim. Ka edhe prindër që hezitojnë dhe thonë të presim, të shohim si do të shkojë situata."
Aktualisht në Shqipëri janë injektuar mbi 2 mln doza anti-Covid, nga të cilat 1.047.822 me një, 924.940 me dy, dhe mbi 28 mijë me tri doza.
