Endokrinologu Dashamir Gjergji: Diabeti prek më shumë ata mbi peshë, mënyra e jetesës kusht

Diabeti është cilësuar si një nga sëmundjet më të rrezikshme në botë, shpesh quhet vrasës i heshtur sepse simptomat e diabetit janë tepër të vështira të vërehen.

Në kuadër të ditës botërore të diabetit në studion e " Jeto me Orën" doktori i shkencave, endokrinologu Dashamir Gjergji në një panel me Asim Toron drejtues i shoqatës për fëmijët dhe të rinjtë me diabet,dhe anëtaren e kësaj shoqate Marsela Xhindi diskutuan rreth problemeve dhe vështirësive që kjo kategori shoqërore përjeton çdo ditë.

Gjergji u ndal tek mënyra e jetesës ,sipas tij është themeli i kontrollit të diabetit.

"Diabeti prek sidomos personat mbi peshë, obezët janë shumë të rrezikuar, e kam thënë dhe e them gjithmonë, mënyra e jetesës është baza e gjithçkaje, kini kujdes " u shpreh ai.

Endokrinologu Gjergji gjithashtu u ndal edhe tek domosdoshmëria e krijimit të një regjistri kombëtar të personave që preken nga diabeti.

Ndërsa Asim Toro kryetari i shoqatës për fëmijët dhe të rinjtë me diabet u ndal tek problematikat që hasen.

"Numri i të prekurve me diabet rritet e ndërkohë që lehtësira për ne nuk ka. Procedurat e dokumentacioneve zgjasin pa fund, diabetikët stigmatizohen,e kanë të vështirë të punësohen" u shpreh ai.

Ndërsa Marsela Xhindi u ndal tek përvoja e saj, duke shpjeguar se e zbuloi diabetin në moshë të vogël, ndaj rrugëtimi i saj nuk ka qenë aspak i lehtë. Ajo tha se përballja e fëmijëve me këtë sëmundje është shumë më dramatike sesa tek të rriturit. 

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Rreth 425 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet dhe listës i shtohen çdo vit 7 milionë raste të reja.

Aktualisht në vendin tonë numërohen mbi 75 mijë persona të prekur nga diabeti, 40% e të cilëve janë ndërmjet moshës 40- 65 vjeç I dhimbshëm është fakti se çdo vit në Shqipëri shtohen 4 mijë raste të reja me diabet. Kjo sëmundje sipas mjekësve  zakonisht diagnostikohet me anë të hulumtimeve dhe analizave.

Diabeti është një sëmundje që nëse nuk zbulohet dhe nëse nuk mjekohet në kohë dhe rregullisht, mund të shkaktojë ndërlikime serioze, të tilla si sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare.