Italia në shërbim të fëmijëve shqiptarë, mjekët italianë do të asistojnë sëmundjet e gjakut te fëmijët
Fëmijët shqiptarë që vuajnë me sëmundjet e gjakut do të mund të ndiqen edhe nga mjekët italianë. Është ky thelbi i marrëveshjes së nënshkruar në Romë mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, e cila parashikon ngritjen edhe të një rrjeti qendrash kombëtare për sëmundjet hematologjike të lindura. Gjatë takimit me homologun italian, ministrja Manastirliu kërkoi rishikimin e masave kufizuese ndaj shtetasve shqiptarë të vendosura në kuadër të pandemisë Covid.
Fëmijët që vuajnë nga sëmundjet e gjakut, tashmë mund të kurohen apo të kryejnë profilaksinë e plotë me asistencën e mjekëve italianë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe homologu i saj italian Roberto Speranza firmosën në Romë një marrëveshje 5 vjeçare bashkëpunimi që garanton për herë të parë këtë shërbim.
“Me këtë memorandum mirëkuptimi ne hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit, duke siguruar faktorët e gjakut për fëmijët hemofilikë, jo vetëm për trajtimin, por tashmë edhe për profilaksinë. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë edhe shtrirjen e rrjetit të qendrave kombëtare të trajtimit të të prekurve për sëmundje të lindura të gjakut”, tha Manastirliu.
Përmes kësaj marrëveshjeje do të asistohet teknikisht edhe ngritja e një rrjeti qendrash kombëtare për sëmundjet hematologjike të lindura me qëllim rritjen e cilësisë së kujdesit dhe përftimin e shërbimeve të specializuara, afër vendbanimit.
Gjithashtu Manastirliu kërkoi nga ministri Speranca të rishikojë kufizimet për lëvizjet për shkak të pandemisë të shtetasve shqiptarë drejt Italisë.
Dy ministrat garantuan se do të ketë të tjera bashkëpunime në fushën e farmaceutikës spitaleve dhe shëndetit publik.

