“S’ka nevojë për marrëveshje me PD", Gjiknuri: Shpresojmë në reflektimin e opozitës për zgjatjen e vettingut
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, nga Elbasani ka thënë se zgjatja e mandatit të organeve të vetingut, është një proces përtej politikës. Duke e konsideruar mbi palët, Gjiknuri tha se shpreson për reflektim të opozitës për dakordësim në zgjatjen e afateve që kërkojnë ndryshim të Kushtetutës. Nga ana tjetër në ditën e ngritjes së flamurit në Elbasan u vu re mungesa e Taulant Ballës për të cilin Gjiknuri nuk dha përgjigje por luti gazetarët të mos e pyesin më për të.
Ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut, nuk kanë nevojë për një marrëveshje të re politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Edhe pse Partia Socialiste e vetme nuk i ka votat për këto ndryshime, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se ky proces është mbi palët dhe se ka një marrëveshje të dakordësuar mes palëve.
Gjiknuri: Është një proces që ka nisur rrugën e tij, proces mbi palët dhe që kryesisht adreson një problem të ngritur për shkak të skadimit të një afati.Ka një marrëveshje, një reformë të dakordësuar ka dhe institucione të ngritura që po funksinojnë. Besoj që edhe me reflektimin pozitiv të opozitës shqiptare do të jemi në gjendje tu zgjasim jetën këtyre organeve për të cilat kemi rënë dakord. Nuk kemi të bëjmë as me marrëveshje të re politike dhe as ndryshime kushtetuese që rrjedhin si dakordësi e palëve politike.
Nga Elbasani ku mori pjesë në ceremoninë e 109 vjetorit të ngritjes së flamurit numri dy i PS, u pyet edhe për emigrimin masiv të të rinjve.
Duke mos i parë si problematike ikjet masive, Gjiknuri tha se kjo gjë është normale në kohërat që po jetojmë.
Për herë të parë që kur është hequr nga drejtimi i qarkut të Elbasanit, në ceremoninë e ngritjes së flamurit mungonte Taulant Balla.
Gjiknuri si drejtues i ri i qarkut preferoj të mos përgjigjej për paraardhësin e tij, madje u kërkoj gazetarëve që të mos e pyesin më për të.
Taulant Balla tanimë drejton qarkun e Fierit, ndërsa edhe pasi u largua nga Elbasani ai ka vijuar që të bëjë vazhdimisht dalje publike nga atje.