Futi 356 mijë kg mallra si ndihma për tërmetin, dosja në prokurori
Ndihmat humanitare për familjet e prekura nga tërmeti dhe heqja e taksës doganore apo edhe e tvsh për to kanë rritur mundësinë e spekullimeve.
Një administrator i një shoqate ka arritur të fusë në territorin shqiptar 864 mijë e 559 kilogram mallra me vlerën e 356 370 eurove të cilat deklaronte se do ti shprëndante te personat në nevojë. Por në fakt pasi zbarkonte në shqipëri ai i shiste në subjekte tregtare. Si pasojë e këtij veprimi dëmi në buxhetin e shtetit shkon në 241 milionë lekë ku përfshihen dhe penalitetet.
Burimet kanë bërë të ditur se rasti është konstatuar në bazë të analizës së riskut por edhe nga dyshimet se ishte një kompani që kishte importuar një sasi shumë të lartë të mallrave në një kohë të shkurtër
Po ashtu mësohet se përfaqësuesi ligjor i shoqatës me inicialet e emrit H.D kishte paraqitur në doganë dhe dokumente të bashkëpunimit me bashkitë që ishin të prekura nga tërmeti. Shkresat që dyshohet se ishin të falsifikuara bënin të ditur nisma të përbashkëta me palët në shpërndarjen e ushqimeve, detergjentëve apo dhe të artikujve të tjerë. Në këtë mënyrë duket se ishte menduar për ta bërë edhe më të besueshme veprimtarinë humanitare.
Pas konstatimit mësohet se hetimi doganor ka kërkuar informacione dhe në bashkitë firma e të cilave rezultonte në dosje. Por edhe në këtë rast përgjigja ka qenë negative dhe me argumentin se nuk ka pasur bashkëpunim me këtë shoqatë
Tashmë pas përfundimit të hetimit doganat kanë paraqitur dosjen në prokurori me akuzën për veprën penale kontrabandë me mallra dhe me ato me regjim të ndërmjetëm, falsifikim të dokumenteve, fshehje e të ardhurave si dhe pastrimi i produkteve penale.