Aksidenti tragjik në Bullgari, mjekët: Sot do kryhen 2 operacione, njëri në situatë të rënduar mendore
"Të gjithë pacientët e lënduar të aksidentit në autostradën e Strumës janë në gjendje të qendrueshme. Nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre", konfirmojnë mjekët e spitalit "Pirgov" ku po trajtohen të mbijetuarit nga aksidenti tragjik, me autobusin që mori flakë, e si rrjedhojë humbën jetën 46 pasagjerë.
Mjekët e spitalit ku janë shtruar të mbijetuarit kanë dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Ata pohojnë për mediet bullgare se dje janë kryer 2 operacione, ndërsa sot do të kryhen gjithashtu dhe 2 operacione tjera, një burrë që ka pësuar djegie të thellë në të dyja duart dhe një vajzë 16-vjeçare, që ka dëmtim në gjurin e djathë.
Ndërkohë, ekspertët e fushës po japin ndihmë psikologjike te të mbijetuarit. Mësohet se gjendja psikologjike e njërit prej pacientëve është e rënduar.
“6 pacientë janë në kirurgjinë plastike, 1 në traumatologji. Janë kryer ndërhyrjet e nevojshme emergjente. Dy operacione janë kryer ditën e djeshme. Një pacient i operuar kishte një frakturë në pjesën e poshtme të këmbës. Një tjetër prej të lënduarve iu nënshtrua një operacioni për një thyerje të kyçit të gjurit. Pacientët e kaluan natën në qetësi”, deklaroi doktoresha Maya Argirova, shefe e Klinikës së Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike.

