Sfidat e rrezikshme për fëmijë në internet, psikologia: Prindërit nuk dinë të përdorin rrjete sociale

Psikologia, Arjola Manreka, pohon se në disa raste prindërit nuk kanë njohuri në lidhje me rrjetet sociale dhe aplikacionet e reja, që fëmijët e tyre përdorin.

Në  një intervistë në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora, duke marrë shkasë nga vetëvrasja e 13-vjeçarit nga Lushnja, i cili dyshohet se humbi jetën duke realizuar një sfidë në TikTok, psikologia thotë se shumë prindër nuk janë në dijeni të sfidave dhe trendeve që qarkullojnë në rrjete social, të cilat mund të jenë rrezik për fëmijët.

Arjola Manreka: "Ndonjëherë prindërit janë të paditur në lidhje me aplikacionet e reja, në lidhje me rrjetet sociale që fëmijët përdorin. Çfarë ka brenda këtyre rrjeteve sociale.

Ne si psikologë shkollor bëjmë fushata, duke u çuar prindërve videomesazhe, se si duhet të mbrojnë fëmijët. Seriali i fundit "Squid Game" ishte vërtetë problematik dhe iu dërgua prindërve rrezikshmëria që ai serial paraqiste.  Kishte nga ata prindër që vërtetë nuk e dinin se çfarë ishte ai serial, ama fëmijët e tyre e kishin parë."