Brdariç: Dua maksimumin ndaj Kastriotit. Të vazhdojmë goleadën e Kupës
Vllaznia vjen nga një fitore e thellë në Kupë kundër Pogradecit por në kampionat ka tre javë pa fitore ndaj dhe për sfidën me Kastriotin, trajneri Brdariç kërkon me patjetër fitoren. Në konferencën për shtyp, ai karikon skuadrën të bëjë mirë siç veproi në ndeshjen me Pogradecin.
“Duhet të vazhdojmë atë që nisëm në Kupë kundër Pogradecit, lojtarët duhet të jenë të qetë, të motivuar dhe të përqendruar ashtu siç ka qenë edhe në stërvitje gjatë gjithë kësaj jave dhe nëse luajmë ashtu siç dimë të marrim një rezultat pozitiv. Duhet të japim maksimumin dhe duhet që lojtarët të bëjnë më të mirën për t’i shkaktuar humbjen Kastriotit dhe e gjithë puna të shpërblehet. Nuk duhet të mendojmë shumë për lojën e Kastriotin, por të mendojmë për veten tonë. E dimë si luajnë ata dhe përqendrimi duhet të jetë se çfarë do të bëjmë ne për të marrë tre pikë”.
Trajneri gjerman mendon se skuadra mund të shënojë shumë edhe në kampionat ndërsa nuk dha indikacione për formacionin.
“11-tëshja startuese duhet të jetë e motivuar për nesër dhe lojtarët që do të vijnë nga stoli duhet të jenë të aftë për të bërë diferencën, duke marrë maksimumin mund të fitojmë. Të shënosh gjashtë gola kundër një ekipi që mbrohet shumë është një gjë e bukur, por duhet të dimë si të futemi në zonën kundërshtare, të dimë si të fitojmë sa më shumë duele dhe vetëm kështu mund të marrim maksimumin e ndeshjeve”, deklaroi trajneri i Vllaznisë në konferencën për shtyp./Ora News/.
