Broja e ka kaluar dëmtimin, Hasenhuttl: Është gati për sfidën me Norwich

Armando Broja është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që e la jashtë me ndeshjet e kombëtares dhe pavarësisht se u përfol për probleme me Rejën, sulmuesi i Southampton ka patur problem të cilat ai i ka kaluar.

Është vetë trajneri i ekipit anglez, Ralph Hasenhuttl, ai i cili njoftoi se ka rikuperuar pothuajse të gjithë lojtarët e dëmtuar, duke përfshirë edhe Brojën i cili do të luftojë për një vend në formcion.

“Mund të them që kam vështirësi për të zgjedhur në sulm pasi jemi të kompletuar dhe të gjithë kanë lënë pas problemet fizike. Ward-Prowse, Livramento, Broja dhe Stephens kanë qenë futbollistët me probleme fizike dhe që kanë punuar nën kujdesin e ekipit mjekësor. Megjithatë përveç Stephens, të gjithë të tjerët kanë kryer stërvitje të plota në fushë dhe do të jenë në dispozicion për sfidën ndaj Norwich. Broja ka pasur një problem në kyç, që duket se e ka kaluar totalisht tashmë dhe është gati për sfidën e radhës. Do ta kem të vështirë për të zgjedhur titullarët por mendoj se ështe një problem pozitiv të kesh mundësi zgjedhjeje dhe alternativa”.

Broja ka shënuar 4 gola me Southmpton, 2 në Kupë dhe dy në kampionat para se të dëmtohej më 23 Tetor ndaj Burnley ku dhe shënoi golin e barazimit 2-2. Sfida e radhës do të jetë transferta me Norwichin e Rashicës ku sulmuesi kuqezi mund të ketë shanse të mëdha për të luajtur./Ora News/.