Shkëmbi me këmbë në tokë: Më gëzon kualifikimi në Kupë dhe jo loja
Dinamo arriti të kalonte në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë duke eliminuar rivalët e Tiranës të cilët në fakt e fituan ndeshjen dhe vetëm pritjet e Bakajt çuan më tej ekipin e Bledi Shkëmbit. Ky i fundit e pranoi se loja e skuadrës nuk ishte në nivelin e kërkuar.
“Urova djemtë për kualifikimin, pasi për ndeshjen kam rezerva. Kualifikimi na shërben në aspektin psikologjik, nuk është pak të eliminojmë ekipin më të mirë të momentit, por nuk jam i kënaqur me ndeshjen tonë. Duhet ta menaxhonim më mirë ndeshjen, edhe pse nuk na rrezikoi Tirana deri te goli i parë. As ne nuk rrezikuam, skuadrat ishin të kujdesshme. Gabim individual i yni, e dija që do të ishte e vështirë në aspektin psikologjik, ashtu ndodhi".
Trajneri i Dinamos bëri edhe analizën taktike të sfidës teksa pranoi se skuadra ishte nën presion të madh psiokologjik.
“Zgjedhja me pesë ishte e detyruar. Nuk ishte një problem rreshtimi, ndikoi pak fati dhe përqendrimi dhe pjesa e dytë pastaj ishte problem psikologjik. Neve na duhej shumë ky kualifikim, e dinim që do të ishte shumë i vështirë, do na rikuperojë mjaft nga ana psikologjike. Ndeshja e radhës vjen shpejt, na pret një sfidë e vështirë të hënën, por shkojmë ndryshe në aspektin psikologjik. Ne menduam që me rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë, duhet të ishim të kujdesshëm. Kemi bërë një futboll të mirë deri tani, por sot luajtëm me shumë topa të gjatë dhe e tepruam. Lojtarët mendonin të mos rrezikonin, pas 2-0 ndryshoi diçka”, u shpreh trajneri i Dinamos./Ora News/.
