Daja: Duam vazhdimësi, ndarja e ndeshjeve po bëhet në dëm të Partizanit

Partizani ka dhënë shenja të rëndësishme të ringritjes me fitore në kampionat dhe në Kupë dhe tashmë do të luajë ndaj Laçit këtë të shtunë për të provuar sërish me rezultate pozitive. Trajneri Ilir Daja foli në konferencën për shtyp në vigjilje të duelit me kurbinasit ku pikërisht kërkoi vazhdimësi në rezultate ndërsa ka edhe pakënaqësi për kalendarin.

“Kanë qenë dy javë që na kanë shërbyer për të vazhduar me entuziazëm, sepse në këtë periudhë kemi qenë mirë edhe psikologjikisht, ekipi ka reaguar edhe në aspektin psikologjik. Ka qenë një fazë dy javore për të bërë një stërvitje normale dhe me entuziazëm. Laçi vjen me një anë psikologjike të mirë sepse në tre ndeshjet e fundit ka mare tre fitore në kampionat. Të dyja skuadrat janë ekipe rivale, edhe në kampionatin e kaluar ku Laçi ka qenë rival për pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit ka qenë deri në javët e fundit pretendent. Kemi një vazhdimësi pas fitores që kemi marrë në kampionat, sepse në fund vazhdimësia do të na bëjë që të pozicionohemi në tabelën e klasifikimit aty ku ka objektivat klubi”.

Më pas trajneri i të kuqve foli për situatën me dëmtimet, mungesat dhe rikthimet e rëndësishme duke thumbuar edhe Federatën për kalendarin dhe kohën e pushimit për skuadrat nga njëra ndeshje te tjetra.

“Cara ishte me stërvitje të diferencuar dhe nuk ishte me intensitete maksimale. Kaçe po rikuperon fizikisht, por nuk është në gjendjen më të mirë fizike, E kemi të plotë kontingjentin përveç atyre që dihen se dhe janë dëmtime që kërkojnë kohë si Kardozo, Damçevski edhe të tjerë. Albani ka një frakturë në gishtin e dorës, dhe nuk ka qenë prezent në anën teknike të stërvitjes, do të ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor dhe në momentin që do të jetë i gatshëm për të luajtur do të hyjë sepse është dhe kapiteni i ekipit dhe mungesa e tij peshon. Kalendari? Doja ta shmangia pjesën e stadiumit. E kam me organizatorët e Kupës. Duhet të vazhdojmë me dy data edhe në kampionat, shoh diferencim në dëm të Partizanit. Nëse i referohemi Kupës, prioritet është kampionati i kaluar. Vjet kemi qenë sipër, bashkë me Laçin. Ne luajmë për tre ditë, të tjerët kanë 4-5 apo pesë ditë dhe kanë kohë të rikuperohen. Nuk është pozitive, pasi duhet të jemi të barabartë me të tjerët. Presim të kemi mbështetjen e tifozëve tanë nesër, kemi nevojë dhe është gjë e mirë që u kthye në Tiranë”, deklaroi në konferencën për shtyp trajneri Daja./Ora News/.