Shkëmbi: Duam kualifikimin në derbi, Dinamo të paktën në Europë
Do të jetë ndeshja e tretë radhazi për Dinamon që do të luajë një ndeshje derbi dhe sërish ndaj Tiranës. Pas fitores në Kupë dhe humbjes në kampionat, do të jetë e treta e vërteta me Tiranën, duel që vlen një vend në çerekfinale dhe për trajnerin Bledi Shkëmbi, sfida vjen në momentin më të mirë pasi skuadra ka rikuperuar diçka nga mungesat dhe dëmtimet.
“Pushimi erdhi në momentin e duhur për disa lojtarë për gjendjen fizike që kishim. Kemi rikuperuar disa lojtarë, por edhe nga ana psikologjike ky pushim na bën mirë. Gjendja është pak më mirë, rikthehet Sofranac. Objektivi minimal është Europa, kjo është dëshira".
Synimi nesër është të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të kualifikohemi, e pastaj të mendojmë për kampionatian dhe për t’u afruar me kreun.
Shkëmbi e pranoi se një fitore me Tiranën ose edhe kualifikim pa fitore do t’i jepte një shtysë të madhe Dinamos edhe në Superiore.
“Pas rezultateve jo të mira nuk është e thjeshtë situata, por kemi në ekip lojtarë me eksperiencë që kanë provuar shumë rezultate gjatë karrierës. Koha e pushimit na bëri mirë për të harruar dhe për t’u fokusuar te ndeshja nesër. Gjithmonë mendja është te ndeshja e radhës, kualifikimi do të na bëjë të ndjehemi mirë edhe në kampionat”, deklaroi trajneri i “nëndetëses” blu./Ora News/.
