Shehi sërish kundër Shkëmbit: Duam edhe Kupën, duhet maksimumi për të përmbysur Dinamon

Orges Shehi është gati për ndeshjen e tretë derbi me Dinamon, ndaj ish shokut të tij të skuadrës si futbollist në një kohë shumë të shkurtër. Në konferencën për shtyp nga kompleksi stërvitor i bardhebluve, Shehi analizoi skuadrën ku pranoi se ka mungesa por pavarësisht kësaj do të bëjë maksimumin teksa shtoi se ndeshjet me Dinamon në Kupë e kampionat janë të ndryshme.

“Janë dy kompeticione të ndryshme, kemi ndeshjen e dytë. Në ndeshjen e parë kemi bërë 45 minuta jo të mira, më pas ndryshuam fytyrë. Kemi një ndeshje nesër për të përmbysur rezultatin. Motivimi për të kaluar turin është, por të shohim se çfarë do të prodhojë fusha. Na duhet shumë punë për të përmbysur rezultatin, me këtë impenjim dhe mentalitet, duhet të fitojmë ndeshjen, më pas të mendojmë të përmbysim rezultatin 2-0. Kemi pasur një javë të plotë, sot na është bashkuar Ismajlgeci. Seferi ka luajtur me kombëtaren, kemi probleme me Xhixhën. Nuk është në 100%, të shohim në seancën e fundit. Na mungon edhe Hoxhallari për arsye kartonësh”.

Për Shehin ka disa probleme për shkak mungesash e gjithashtu ai konfirmoi se skuadra nuk mendon për sfidën me Kukësin në kampionat pasi është fokusuar vetëm për të fituar në Kupë, trofe të cilin ai tha se dëshiron ta fitojë.

“Ne duam të shkojmë sa më gjatë në Kupë dhe duam të fitojmë trofeun. Është e pavend të flasim për kampionatin, të fokusohemi te Kupa, na pret një ndeshje. Nesër kemi ndeshjen e Kupës, do të impenjohemi maksimalisht, do të hedhim në fushë forcat tonë. Më pas është ndeshja me Kukësin, kemi kohë për t’u rikuperuar. Skuadra ka seriozitet, ka një përqendrim dhe vlerësim maksimal, është shumë e rëndësishme vazhdimësia në futboll”, u shpreh trajneri i bardhebluve në konferencën për shtyp.

Shehi sërish kundër Shkëmbit: Duam edhe Kupën, duhet

/Ora News/.