Luftë me antiamerikanë, Haradinaj sulmon Kurtin për gazsjellësin

Ish-kryeministri dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është përfshirë në një debat me deputeten e VV, Fitore Pacolli gjatë seancës së të enjtes në Kosovë.

Përplasja mes Haradinajt dhe Pacollit ka ndodhur për shkak të projektit të gazit që lidhej me Maqedoninë e Veriut dhe mbështetej nga një agjenci amerikane.

Në fjalën e tij kreu i AAK, Hardinaj ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka refuzuar projektin e gazit pasi ai është antiamerikan.

"Fakti që u refuzua ky projekt është që kryeministri ynë ka orientim antiamerikan," tha Haradinaj.

Në mbrojtje të Kurtit në foltore foli deputetja e VV, Fitore Pacolli e cila e akuzoi Haradinajn se kishte lidhje direkte me bizneset e gazit.

"Ata që janë duke e shtyrë shumë procesin e infrastrukturës së gazit të instalohet në vende si Kosova janë kompanitë e gazit dhe pyetja ime është a ke marrë para nga kompanitë e gazit që po e shtyn me kaq vullnet dhe me kaq pasion," tha ajo.

Më tej, deputetja Pacolli tha se projekti është rrëzuar pasi është në sinkron me kërkesat e qeverisë amerikane kundër përdorimit të gazit, por Haradinaj në replikën ndaj saj deklaroi se presidenti Biden ka paralajmëruar që të bëhet kujdes vetëm ndaj gazit rus.