SHBA-ja kërcënon Bosnjën me sanksione

ShBA-të kërcënojnë me sanksione Bosnjen nëse përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme ose të destabilizojnë marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995. Paralajmërimi ka ardhur nga sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ndërsa udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska,  entitet i banuar me shumicë serbe, nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin sanksione kundër subjekteve që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme ose të destabilizojnë marrëveshjen e Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Amerika në 1995. Paralajmërimi ka ardhur nga sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

 “Si dëshmitare nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, SHBA-ja përsërit se lëvizjet për t'u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror ose për të destabilizuar Marrëveshjen, do të përballen me veprime të duhura, përfshirë marrjen në konsideratë të sanksioneve”, tha Blinken në një letër drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska, entitet i banuar me shumicë serbe, nga pjesa tjetër e Bosnjës. Ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe administratën tatimore të Bosnjës.

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane Kroate dhe Republikën Sërpska. Në një raport  të prezantuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë muaj, përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ka thënë se konflikti dhe ndarja në Bosnje “janë shumë reale”.

Sipas tij, veprimet e Dodikut paraqesin “kërcënim ekzistencial” për Marrëveshjen e paqes.