Vështirësitë e gazetarisë së terrenit, gazetarja Alketa Çeku rrëfen momentin kur mbeti e izoluar mbi çati
Gazetaria e terrenit dhe vështirësitë e saj bëri bashkë këtë pasdite në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora tre gazetaret e terrenit si Alketa Çeku, Mirilda Tili dhe Eglantina Alliaj.
“Terreni është dashuri” kështu e ka cilësuar gazetarja Tili, ku sipas saj nëse nuk je në terren, aty ku ndodh ngjarja ti kurrë nuk mund të bëhesh gazetarë.
“Terreni është aq dashuri saqë edhe pas kaq vitesh vijoj të jem në terren. Nuk jam nga ata që vendosin të rrijnë në zyrë. Nëse nuk je në terren nuk je gazetarë, të paktën unë kështu e mendoj. Çdo lloj pune ka një përgjegjësi ka dhe mision. Një gazetar jo i mirë, i cili ka problem me parimet e gazetarisë, kritikën si për mirë edhe për keq e jep në kohë. Ka raste në raportim kur jo vetëm që harron parimet e gazetarisë, si të ruash ftohtësinë, etj. Unë për vete jo gjithmonë ja kam dal. Flasim gjithmonë për raportimet ‘live’, se ndryshe kur vjen dhe e bën kronikën në redaksi edhe mund të heqësh pjesët që nuk dëshiron”, u shpreh Tili.
Më tej gazetarja u shpreh se jo gjithmonë mund t’ia dalësh për të ruajtur parimet e gazetarisë në terren, pasi sipas saj edhe gazetari është njeri me mish dhe gjak.
“Janë disa situata ku nuk ka burrëri apo forcë, pasi gazetari në fund është njeri me mish dhe gjakë, pavarësisht se duhet të raportojë. Ne flasim për gazetarët, por kaq sfidues janë edhe operatorët, pasi dhe ata janë pas kamerave. Edhe ata janë aty te gazi lotsjellës apo diçka tjetër. Kemi mjaft raste kur është dëmtuar një operator, pra kur flasim për gazetari kemi të bëjmë me një skuadër të tërë”, tha ndër të tjera ajo.
Ndërsa për gazetaren Eglantina Alliaj gazetarinë nuk e ka cilësuar si profesion, por si një mision. Ku sipas saj gazetaria nuk bëhet nga kolltuku, por nga terreni.
“Nuk është e lehtë të bësh gazetari kur politikanët nuk duan të jenë të hapur me mediat. Patjetër që do të kesh përplasje dhe ankesa përderisa do të bësh opozitën le të themi në vend. Gazataria nuk bëhet nga kulltuku, duhet të dalësh në terren të flasësh me njerëzit. Gazetaria nuk është profesion, por mision. Ku në borë apo në shi duhet të jesh aty ku ndodh ngjarja”, u shpreh gazetarja Alliaj.
Më tej gazetaret u ndalën edhe tek vështirësitë që hasin në përditshmëri gjatë ushtrimit të profesionit, ku gazetarja Alketa Çeku, tha se ndër vështirësitë më të mëdha është marrja e informacionit në rrugë zyrtare. Ku sipas saj nuk merr përgjigjet e plota siç t’i i kërkon.
“Në pyetjet që ti drejton teorikisht të vjen një përgjigje, por jo përgjigja që ti doje të merrje. Duhet të çosh sërish një kërkesë tjetër, dhe ata të orientojnë sërish të kthehesh tek përgjigjet që të kanë nisur më para”, tha ndër të tjera gazetarja Çeku.
