Meta: Kam një vit që nuk e kam takuar Berishën, Bashës i kam thënë ta respektojë, por jo kur e ka gabim

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, presidenti Meta tha se ka rreth një vit që nuk e ka takuar ish-kryeministrin Berisha.

Ai theksoi se ka qenë i hapur me të dy, këshilla që i ka dhënë gjithmonë  Bashës ka qenë që ta respektojë gjithmonë Berishën, por edhe të vendosi vetë kur mendon se Berisha e ka gabim.

Meta: Kam gati një vit që nuk jam takuar me z.Berisha dhe do përpiqem të shmang çdo takim, të paktën edhe disa javë, pastaj shpresoj të takohem me të dhe me z.Basha, dhe këdo tjetër. Të gjithë duhet të sillen me shumë përgjegjësi në raport me PD-në, misionin e saj opozitar dhe t’i japin fund situatës ku askund nuk mban përgjegjësi, apo ku transferohet te dikush tjetër.

Kam qenë i hapur me të dy, këshilla që i kam dhënë gjithmonë z. Basha ka qenë që ta respektojë gjithmonë z.Berisha, por edhe të vendosi vetë kur mendon se z.Berisha e ka gabim. Por asnjëherë të mos bjerë viktimë e diversioneve për të mohuar kontributet e tij, apo vlera e tij, sepse dihen kontributet e tij.