Krimi horror në Fier, reagon politika/ Balla: Autori të marrë ndëshkim maksimal! Xhixho: Me heshtjen tonë e lamë fëmijën në duart e kriminelit
Ngjarja e rëndë në Fier, ku një fëmijë 8-vjeç është vrarë dhe më pas është ekzekutuar nga 38-vjeçari Klodian Çalamani, ka sjellë edhe reagimin e politikës. E para që ka reaguar ka qenë deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila i ka shprehur ngushëllimet familjes.
"Më lejoni që në emër të grupit parlamentar dhe të gjithë kolegëve të tjerë të shpreh mendimet për lutjet tona për ngjarjen makabër në Fier, gjithë jemi me familjen e atij fëmije në Fier që nuk jeton më", tha Tabaku në Parlament.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar një dënim maksimal për autorin.
“Krimi horror në Fier duhet të marrë një ndëshkim maksimal dhe të menjëhershëm nga drejtësia”, shkruan Balla.
Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho tha se nuk ka vlerë të kërkojmë sot dënimin maksimal për kriminelin, kur ai ishte aty e askush nuk e ngriti zërin.
"Edhe një fëmijë tjetër tetëvjeçar bëhet viktimë e një krimineli! E çfarë vlere ka të thërrasim sot se krimineli duhet të marrë ndëshkimin maksimal, kur krimineli ishte aty e askush nuk e ngriti zërin më parë, që ai të mos ishte i lirë dhe jashtë mbikqyrjes së organeve të zbatimit të ligjit, të cilat e kanë për detyrë parandalimin e akteve kriminale?! Çfarë krimi makabër!
Dhe çfarë turpi për të gjithë ne si shoqëri! Sepse me heshtjen tonë e lamë fëmijën në duart e lira të kriminelit. Sa turp e faj bashkë për shtetin, që me mosveprimin e vet është po aq fajtor sa krimineli në vrasjen e 8 vjeçarit të gjorë, jeta e të cilit nuk mund të shpaguhet me asgjë," shkruan Xhixho.
Elisa Spiropali i ka bërë thirrje institucioneve të zbardhin çdo detaj të kësaj ngjarjeje të zezë.
"E tronditur nga vrasja makabre në Fier. Me mendje dhe zemër pranë familjes së fëmijës në dhimbjen e tyre të paimagjinueshme. Lus mediat të mos e rëndojnë gjendjen e familjarëve me detaje të tepërta të aktit apo vendngjarjes. U bëj thirrje institucioneve të zbardhin çdo detaj të kësaj ngjarjeje të zezë që na lëndon të gjithëve. Shpirti i tij i pafajshëm u prehtë në paqe," shkruan ajo.
