Vetëvendosje humbi në zgjedhjet vendore, Albin Kurti: U bënë të gjithë bashkë kundër meje dhe qeverisë
Albin Kurti pranon dështimin në zgjedhjet vendore duke ja faturuar mungesës organizative të VV, ndërsa mohon të ketë rënie të popullaritetit të qeverisjes së tij. Kurti akuzoi dhe opozitën se sulmoi frontalisht Vetëvendosjen.
Lëvizja Vetëvendosje në qeveri, pësoi një goditje të fortë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash që u mbajtën të dielën e 14 nëntorit.
Vetëvendosje fitoi gjithsej katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh ndërsa humbi dhe Prishtinën.
Po si e komenton këtë humbje Albin Kurti?
Në një konferencë për median, Kurti e quan “ një sulm” më shumë kundër tij dhe qeverisjes së Vetëvendosjes” sesa një betejë për zgjedhje vendore.
“Ka ekzistuar një sinkronizim, bashkim i të gjithëve të tjerëve kundër VV si asnjëherë më parë. Besoj se në këtë rrafsh nuk e kanë pasur shumë me kandidatët në balotazh sesa e kanë pasur me qeverisjen qëndrore e sukseset të saj. Ka ekzistuar një panik opozitar që i ka detyruar të bëhen bashkë njëra tjerën kundër Vetëvendosjes ashtu siç nuk e kemi menduar ne”
Kryeministri Albin Kurti pranon se dhe brenda Vetëvendosjes ka pasur defekte por se ato do të analizohen në një mbledhje të brendshme
“Unë mbrëmë kam takuar 12 kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje. Mbajta shënime për të gjitha vërejtjet e tyre, sugjerimet e mësimet që duhen nxjerrë. Shtabi ynë zgjedhor po përgatit një raport për fushatën dhe rezultatin që do e diskutojmë në kryesinë e Vetëvendosjes. Nuk do isha nxituar me konstatime para se ta shohim këtë raport. Ajo që është e qartë është se në subjektin tonë politik i cili është rritur shumë në 3- 4 vitet e fundit ka defekte strukturore dhe organizative.
Nuk kemi struktura që i përgjigjen mallësisë dhe zgjedhjet e fundit të brendshme i kemi mbajtur në janar 2018 dhe kjo është pjesë e shpjegimit të mungesës së funksionit dhe diku të efikasitetit të strukturave tona. Ka defekte të brendshme“.
I pyetur për dialogun Kosovës-Serbi, kryeministri Kurti konfirmoi se bisedimet do kenë prioritet çështjen e të pagjeturve dhe të zhdukurve.
Kryeministri Kurti komentoi edhe nismën “Open Balkan” duke përsëritur qëndrimin se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur derisa Serbia nuk i pranon dokumentet e Kosovës.
Qeveria ndërkohë po përgatit strategjinë për energjinë që sipas Kurtit i ka munguar Kosovës.