Kisha kundër martesave LGBT, Angelo Massafra dhe Gjergj Meta: Shteti të kthejë sytë nga varfëria!

Kisha Katolike është qartazi kundër martesave të të njëjtit seks, dhe birësimit të fëmijëve nga çiftet LGBTI. Ipeshkvi Angelo Massafra dhe Dom Gjergj Meta nga Shkodra bënë thirrje për mosndërhyrje në Kodin e Familjes, ndërsa apeluan shtetin që të kthejë sytë nga varfëria.

Jo vetëm apel ndaj politikës qendrore e lokale që të marrë masa për të qenë pranë shtresave në nevojë, duke punuar për të zbutur plagën e varfërisë, por edhe asistencë të drejtpërdrejtë përmes qendrave të saj.

Kisha Katolike shqiptare kërkon me ngulm që të trajtohet me seriozitet plaga e varfërisë në vendin tonë, ku çdo ditë po thellohen diferencat mes të varfërve e të pasurve.

"Varfëria është pasojë e egoizmit e keqpërdorimit të të mirave. Toka e Shqipërisë është shumë e pasur," tha imzot Angelo Massafra, kryetar i konferencës Ipeshkvnore.

"Problemet e fundit që janë shprehur edhe në televizion sikurse rritja e çmimeve, e energjisë elektrike, e karburanteve e gazit sjell pasoja në jetën e shumë njerëzve, në varfërimin e mëtejshëm ët tyre," tha imzot Gjergj Meta, sekretar i konferencës.

Dy ipeshkvinjtë shqiptarë, imzot Massafra dhe Meta ritheksojnë qëndrimin e prerë të Kishës katolike edhe për ndryshimet që kërkohet të bëhen për kodin e familjes.

Ata janë kundër martesave brenda të njëjtës gjini, si dhe lejimit të birësimit të fëmijëve.

"Familja është një, martesa është midis burrit dhe gruas, nuk mund të flitet për një martesë tjetër. Nuk mund t'i jepen fëmijë në birësim këtyre çifteve," tha imzot Angelo Massafra.

"Në ruajtjen e konceptit të martesës dhe të bashkëjetesës ndërmjet një burri dhe një gruaje," tha imzot Gjergj Meta.

Në një letër të pak ditëve më parë të gjithë komunitetet fetare të mbledhura në Këshillin Ndërfetar i kërkuan kuvendit të Shqipërisë mos ndërhyjnë në kodin e familjes në lidhje me këto çështje.