Shuhet familja shqiptare, komuniteti në Greqi për aksidentin tragjik: Kjo rrugë ka marrë shumë jetë

Një aksident tragjik është regjistruar ditën e sotme në Greqi, ku si pasojë humbën jetën tre anëtarë të familjes. 

Burrë e  grua dhe vajza e çiftit shqiptar kanë mbetur të vdekur në vend, ndërkohë aksidentit fatal i ka mbijetuar vetëm djali i tyre 17-vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në lidhje me aksidentit fatal ka reaguar edhe përfaqësuesi i komunitetit të Koromilas, Dimitris Giataganas, i cili në një deklaratë për mediat u shpreh se zona ku ndodhi aksidenti është kthyer në një aks tepër të rrezikshëm kohët e fundit për shkak të degradimit të rrugës.

“Për dekada këtu nuk ka ndodhur asnjë aksident, por së fundmi kemi parë një numër të madh aksidentesh fatale. Asfalti është degraduar dhe me shiun e parë kthehet në gjalp. Jemi me fat që nuk jemi vrarë deri më tani ne që e përdorim këtë rrugë çdo ditë”, u shpreh ai.