Gara për Prishtinën, Vitia: Sot vendoset fati i kryeqytetit; Rama: Ditë të mira po vijnë për qytetarët

Paraditen e së dielës të dy kandidatët në garën për Prishtinën, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë votuar rreth orës 9:00.

Kandidati i LVV-së, Vitia, duke ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, ka thënë se dita e zgjedhjeve është “një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin - sot vendoset fati i kryeqytetit - ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në procesin e votimit”.

Edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi siç ka thënë ai, “kohëra të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë”.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.