Nesër beteja, kush e fiton Prishtinën?
Kosova ndodhet sot në heshtje zgjedhore, pak orë përpara balotazheve në 21 komuna. Partitë politike përmbyllën të premten fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Për këtë publicisti, Denion Ndrenika, thotë se beteja kryesore mes partive në Kosovë bëhet për Prishtinën. Në një intervistë për edicionin e lajmeve në RTV Ora, publicisti thotë se Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë.
Denion Ndrenika: Pa dyshim që beteja kryesore bëhet për kryeqendrat, veçanërisht në vende që kanë të përqendruar të gjitha kapacitetet e tyre ekonomike, sociale, shoqërore dhe politike.
Në vende si Shqipëria, Kosova, Serbia, pra në vendet ballkanike të vogla edhe vetë Greqia e kanë të përqendruar të gjithë aktivitetin e tyre në kryeqytet dhe aty bëhet beteja kryesore.
Unë them që "Vetëvendosja" do ta marrë fitoren, jo se mund të ketë dhënë diçka më tepër, apo se mund të përballojë një bashkim të mundshëm të kundërshtarëve të saj, "PDK" dhe "LDK". Por sepse diferenca në kuptimin tim është pak e madhe dhe besoj që nuk do të mbërrijë PDK dhe LDK. Përveç se vetë njerëzit kanë aleanca të heshtura mes tyre dhe për t'i dhënë një mësim të dytë "Vetëvendosjes" pas raundit të parë, të merren vesh dhe ta votojnë kundër.



