Brnabiç: Nuk ka vend në UNESCO për shtetin e vetëshpallur të Kosovës
"Depolitizimi i UNESCO-s është politikë e Serbisë dhe temë vendimtare për vendin, që do të thotë se nuk ka vend në organizatë për të ashtuquajturin shtet të vetëshpallur të Kosovës", tha të premten, 12 nëntor kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq në Paris.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në sesionin e 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, Brnabiç tha se UNESCO ishte një organizatë që merret me çështje që nuk kishin lidhje me politikën, por me arsimin, kulturën, shkencën dhe çështje të tjera të ngjashme.
“Kur themi depolitizim, mendojmë se nuk ka vend në UNESCO për të ashtuquajturin shtet të Kosovës. UNESCO nuk është vendi ku duhet të diskutohet nëse Kosova, e cila nuk ka ulëse në OKB dhe nuk njihet nga më shumë se gjysma e vendeve (anëtare të OKB-së), duhet të jetë anëtare e asaj organizate”, tha Brnabiq, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk ishte dhe nuk duhet të jetë temë.
"Kur them depolitizim, të gjithë e dinë se çfarë do të thotë kjo. Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay gjithashtu ka thënë se ajo nuk dëshiron politizim gjatë mandatit të saj," shtoi Brnabiç.
"Gjërat mund të bëhen më të vështira pasi SHBA të kthehen në UNESCO, por puna e Serbisë është të punojë në mënyrë proaktive për këtë çështje dhe të këmbëngulë për depolitizimin", tha Brnabiq.
