Hapet "kasaforta" e Foltores, Paloka fton gazetarët të shikojnë 4200 formularët e plotësuar nga delegatët
Edi Paloka i cili mban në zyrën e tij firmat e pretenduara për thirrjen e Kuvendit Kombëtar ftoi mediat të verifikojnë formularët. Ai e pranoi se mund të konfirmohet vetëm numri i formularëve e jo fakti nëse firmëtarët janë apo jo delegate të Kuvendit. Këtë barrë, tha ai, e ka Kuvendi Kombëtar ditën që do të mblidhet. Kjo u cilësua si tallje nga sekretari Gazmend Bardhi, i cili tha se në 11 dhjetor mund të ketë miting por jo Kuvend.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, hapi kasafortën e foltores, dhe ftoi median të njihet me firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Gazetarët por dhe kushdo tjetër që ka interes, mund të verifikojë vetëm ekzistencën e 4200 fletëve të firmosura, por jo faktin neqoftëse ata janë delegatë të Kuvendit Kombëtar apo jo. Kjo u pranua edhe nga vetë Edi Paloka.
Për këtë arsye, verifikimi i saktë i firmave, tha Paloka, mund të bëhet vetëm në Kuvendin Kombëtar. Në këtë pikë ai kishte edhe një propozim.
Paloka: Rikonfirmoj që janë 4200 formularë të dorëzuar. Kanë ardhur dhe formularë të tjerë të cilët nuk do t'i deklaroj. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit të PD janë përcaktuar në statut dhe janë nga kryetar seksioni, sekretar dhe kryetar grup seksioni, kryesia degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetët, pra kjo është e parashikuar në statut. Të gjithë këta që janë firmosur nuk janë anëtarë të thjeshtë të PD-së, janë të gjithë delegatë të Kuvendit siç e përcakton statuti.
Paloka shtoi se formularët janë me të gjitha të dhënat e delegatëve.
Paloka: Verifikimi do bëhet në Kuvend, që është i jashtëzakonshëm. Atë ditë para se të fillojë Kuvendi do lexohen dhe emrat dhe do verifikohen formularët. U aludua edhe që nuk janë fare, por për të qenë janë këtu 4200. Dikush mund të thotë që janë falsifikuar, dikush mund të thotë që janë marrë me zor, por këto do vërtetohen ditën e Kuvendit.
Nëse Basha nuk e njeh këtë Kuvend çfarë do të ndodhë me Komisionin?
Paloka: Ky është Kuvend i jashtëzakonshëm, procedurat e statutit parashikojnë kur Kuvendi mblidhet në mënyrë normale dhe të zakonshme. Janë këtë rast nëse nuk i përgjigjen detyrimeve statutore ata që e kanë detyrim, jemi të detyruar t'i bindemi vullnetit të shumicës, se nuk kemi më 1/4, por kemi shumicën e Kuvendit të PD me këtë numër dhe jemi të detyruar të zbatojmë detyrimet statutore duke filluar që nga kryetari.Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, kanë detyrimin firmëtarët që të vazhdojnë me procedurat.
"Në 11 dhjetor mund të ketë miting, por jo Kuvend Kombëtar"
Por sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, e cilësoi këtë një tallje me të gjithë demokratët e në veçanti me ata që kanë besuar në lëvizjen e Berishës.
Bardhi: Ju sot keni qenë dëshmitarë se si po vijohet me një proces të talljes dhe fyerjes së çdo anëtari të PD. Dua të përsëris apelin tim drejtuar cilitdo që gjykon dhe vlerëson se do duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD dhe që pretendon se ka arritur të sigurojë kuorumin e nevojshëm për fillimin e proceduarve të ndjekë procedurat sipas statutit të partisë. Sot më së shumti është fyer dhe është tallur edhe me atë pakicë që kanë besuar tek lëvizja e zotit Berisha. Edhe sikur të jetë arritur të sigurohet 1/87 apo 1/10 e firmave, vullneti i tyre nuk mbyllet dot në kasafortë dhe nuk bëhet shoë me vullnetin e atyre demokratëve. Edhe nëse 1/10 e delegatëve kanë nënshkruar për thirrjen e Kuvendit zëri i tyre do duhet të dëgjohet, prandaj do dua sinqerisht të ripërsëris thirrjen time që nxirrini firmat nga kasaforta, mos bëni show me gazetarët që nuk janë në gjendje të verifikojnë jo vetëm nëse janë apo j nënshkruesit e formularëve anëtarë, por nuk kanë mundësi të dinë janë apo jo demokratë. Dorëzoni kërkesën në protokollin e PD, respektoni institucionet dhe i jepni mundësi demokratëve të shprehin në transparencë të plotë vullnetin e tyre të lirë.
Një thirrje kishte për të gjithë demokratët.
Bardhi: PD është krenari e Shqipërisë. Nëse dikush ka vendosur të veprojë si strukturë ilegale është i lirë ta bëjë, pro këtë nuk mund ta bëjë në emër të demokratëve.
Gazment Bardhi publikoi edhe një video, ku deputeti Flamur Noka disa ditë më parë citon të njëjtën rrugë për mbledhjen e Kuvendit.
Gazmend Bardhi tha se firmat duhet të dorëzohen në Sekretariat dhe kërkesa në Protokoll, e nga ai moment Partia Demokratike e ka detyrim të dëgjojë dhe ti përgjigjet çdo shqetësimi të demokratëve.