Kaosi në kufirin Bjellorusi-Poloni, arrestohen mbi 50 emigrantë
Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë akuzoi sot perëndimin për orkestrimin e krizës së vazhdueshme të emigracionit në kufirin polak, me qëllim vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Minskut.
Në të njëjtën kohë, Polonia njoftoi sot se ka bërë më shumë se 50 arrestime të emigrantëve që u përpoqën të kalonin në territorin e saj.
Bashkimi Evropian e akuzon udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit të tij.
Sipas radios polake RMF, rreth 200 persona kanë bërë përpjekje të shkelin kufirin polak pasditen e së martës dhe rreth 60 të tjerë kanë bërë përpjekje të ngjashme gjatë natës.
Një zëdhënës i departamentit rajonal të policisë tha se autoritetet kanë arrestuar më shumë se 50 persona.
“Ka qenë një natë jo e lehtë përgjatë kufirit Poloni-Bjellorusi”, tha të mërkurën ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Blaszczak shtoi se forca polake në kufi është rritur nga 12,000 ushtarë në 15,00.
BE-ja është zotuar për sanksione të mëtejshme ndaj Bjellorusisë, duke e akuzuar Presidentin Alexander Lukashenko se po përdor "taktika prej gangsterësh" gjatë kësaj periudhe që ka krijuar një ngërç në kufi dhe gjatë të cilit kanë humbur jetën të paktën shtatë emigrantë.
Polonia dhe vendet e tjera anëtare të BE-së e akuzojnë Bjellorusinë se po i inkurajon emigrantët nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika të kalojnë ilegalisht kufirin për në BE, si formë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Minskut për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Pas 15 vitesh në spital, 32-vjeçari autik kthehet në shtëpi
10 Nëntor, 11:36


