Kim komenton takimet e kongresmenëve me Ramën e Bashën: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA tejkalojnë politikën partiake

Prej ditës së dielë në vendin tonë kanë mbërritur 3 ligjvënës amerikanë, të cilët janë takuar edhe me kryeministrin Rama dhe kryeopozitarin Basha. Në përfundim të takimeve, Yuri Kim ka theksuar nevojën për përparim në sundimin e ligjit, duke vënë në dukje se kjo do të tërheqë investime.

Tre ligjvënës amerikanë kanë mbërritur në Shqipëri për të takuar përfaqësues të lartë të shtetit, por edhe opozitës.

Mbrëmjen e së të dielës ata janë takuar me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, kryetaren e komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli, ndërsa nga PD me deputetët Tomor Alizoti dhe deputeten Jorida Tabaku.

Kryeministri Edi Rama priti mëngjesin e së hënës 2 kongresmenët dhe 1 senatore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim.

Takimi u zhvillua në ambientet e kryeministrisë, ndërsa Rama që e publikoi vetë këtë takim shkruajti se miqësia dhe partneriteti mes dy vendeve po forcohet dita ditës.

Pasditen e së hënës delagacioni u prit nga lideri demokrat, Lulzim Basha, i cili pas takimit tha se ka marrë mbështetjen për vettingun e politikanëve.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka komentuar vizitën e dy delegacioneve të Kongresit të SHBA në Shqipëri dhe takimin që patën me kryeministrin Rama dhe shefin e opozitës Basha.

Në një postim në twitter, Kim takimet e tyre me Ramën e Bashën tregojnë se marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë tejkalojnë politikën partiake.

Kim shton se ligjvënësit kërkuan përparim në sundimin e ligjit, duke vënë në dukje se ai do të tërheqë biznes dhe investime.

Ligjvënësit amerikanë vizituan gjithashtu të evakuuarit afganë që kanë kërkuar strehim të përkohshëm të sigurt në Shqipëri.

"Mirënjohje të thellë popullit shqiptar për mikpritjen e tij. SHBA është krenare që sheh OJQ, biznese dhe vullnetarë që mbështesin ata në nevojë" përfundon statusi i Yuri Kim.