"Telefonin e shita 10 mijë lekë…”, Si arriti policia në gjurmët e biznesmenit të vrarë Rruzhdi Hoxha, Ora News siguron raportin konfidencial

Zbulimi i numrit të telefonit që ka përdorur para vrasjes, viktima Ruzhdi Hoxha, është kthyer në fijen kryesore, që çoi policinë e Tiranës, në zbardhjen e rrëmbimit dhe më pas vrasjes e zhdukjes së trupit të biznesmenit 43-vjeçar Rruzhdi Hoxha.

Hetimi i kësaj ngjarje është udhëhequr nga Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, i cili ka angazhuar dhjetëra forca policie, me shpresën e vetme se do të arrinte të gjente të gjallë, Rruzhdi Hoxhën.

Sipas një relacioni të policisë kriminale, zhdukja e biznesmenit është bërë në 20 tetor 2021 në zonën e “Ardenos” në Autostradë, teksa ai qëndronte në një kafene me dy persona të tjerë, miq të viktimës. Personi që është paraqitur në këtë kafene dhe e ka marrë me makinë ishte dhe shoku i viktimës, Ferdinand Rrushi, i cili ndodhej në mjet edhe me dy persona të tjerë.

Raporti konfidencial i siguruar nga “Ora News”, thotë se familjarët kanë mbërritur në polici 4 ditë pas ngjarjes, duke bërë fillimisht kallëzim penal në komisariatin nr. 5 në Kamëz dhe më pas çështja është transferuar tek Drejtoria e Hetimit të Krimeve kundër Jetës në policinë e kryeqytetit.

Kjo drejtori të parin që ka shoqëruar dhe marrë në pyetje, ka qënë Ferdinand Rrushi, person me precedentë të mëparshëm kundër jetës së personit, pasi në dy raste të tjera ka qëlluar me armë dy qytetarë në Tiranë.

Ferdinand Rrushi, njihet si person problematik edhe për sa i përket kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në Tiranë dhe jo vetëm.

Rrushi gjatë marrjes në pyetje ka pranuar se në orët e vona të datës 20 Tetor 2021, ka qënë nën shoqërinë e Rushdi Hoxhës, duke treguar se: “…Ruzhdiu, ka hipur në makinën time tip “Passat” dhe nga zona e zdruktharisë, jemi nisur në Fushë-Mëzes, pasi në këtë vend më kërkoi ta çoja. E kam çuar në Fushë-Mëzes, duke e lënë tek stacioni vetëm, pasi siç më tregoi Rruzhdiu, aty do vinte që ta merrte një vajzë…”.

Pikërisht këtu shkëputej gjithçka, pasi vetë Ferdinandi “lante” duart me policinë dhe familjarët se kishte lënë në stacion autobusi, mikun e tij, Rruzhdi Hoxha. Ndërsa kamerat e sigurisë të disa karburanteve dhe bizneseve të zonës, tregonin se vetëm Ferdinandi me makinën tip “Passat”, atë mbrëmje kishte ikur në drejtim të Qafë-Mollës, mbrapa malit të Dajtit.

Ky detaj u përplas me një detaj tjetër, që çuan në kontradiktë, Ferdinand Rrushin, pasi ky i fundit kishte treguar se mbrëmjen e 20 tetorit dhe 21 tetorit, ishte larguar në Martanesh, ndërsa kamerat e sigurisë nxirnin makinën e tij, duke udhëtuar në drejtim të Qafë-Mollës, informon Ora News

Zbulimi i numrit të telefonit të Hoxhës

Në 30 tetor 2021, policia e Tiranës, ka mundur të gjejë numrin e telefonit që përdorej nga Rruzhdi Hoxha.

Sipas raportit policor, të siguruar nga Ora News, numri hapej herë pas here dhe përdorej në telefona të ndryshëm, kjo pasi policia arrinte ti mësonte nr, e IMEIT.

Pas shumë përpjekjes, policia gjeti të hapur numrin e telefonit të Rruzhdi Hoxhës, në një dyqan telefonash, që ndodhet në zonën e Alliasit, shumë afër me shkollën e Bashkuar në Tiranë.

Pronari i dyqanit ka treguar se numrin e telefonit së bashku me aparatin celular ja kishte blerë një taksisti.

“Celularin e kam këtu, pasi është i thyer dhe po pres ti bëj servis. Ndërsa numrin e telefonit e kam vendosur në disa telefona të tjerë që unë i tregtoj. Pasi i shes, kartën e telefonit ja heq dhe vendos një telefoni tjetër…”-u ka deklaruar policëve pronari i dyqanit të telefonave, raporton Ora News.

Veç kësaj, ky person i ka thënë detaje edhe mbi emrin dhe karakteristikat e taksistit që ja kishte shitur telefonin. Taksisti është gjetur nëpërmjet pamjeve filmike të sekuestruara në dyqanin e telefonit, kur ai ishte paraqitur.

Gjetja e taksistit dhe pyetja e tij

Taksisti ambulant është arritur të gjendet nga policia e Komisariatit Nr.4 në Tiranë. Pyetja e këtij personi është bërë në ambjentet e Policisë së Tiranës, ku taksisti ka treguar se ka gjetur aparatin e telefonit të thyer në zonën e kryqëzimit që të çon në Qafë-Mollë.

“…telefoni ishte i thyer në pjesën e ekranit. Megjithëse ndizej, ai nuk hapej plotësisht, pasi ishte me passëord. Edhe ekrani nuk dallohej mirë, pasi ishte i copëtuar plotësisht. E kam marrë telefonin dhe kam shkuar në një dyqan në afërsi të shkollës së Bashkuar, me shpresën se do e rregulloja.

Pronari i dyqanit, më tha se servisi i telefonit kushtonte diku tek 100 mijë lekë të vjetra, pasi nevojitej ti ndërronte komplet ekranin. Aty vendosa që t’ia shes pronarit të dyqanit telefonin së bashku me kartën, kundrejt një çmimi prej 10 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj jam larguar dhe nuk kam shkuar më në dyqan. Vetëm kur më njoftoi policia dhe u paraqita të jap sqarime…”
-ka treguar taksisti, mëson Ora News

Gjetja e parcelës me 300 rrënjë kanabis

Zbulimi i enigmës së rrëmbimit të Ruzhdi Hoxhës, për gati dy javë u kthye në një betejë me vetveten, pasi policia ishte e bindur që ndodhej shumë afër zbardhjes së kësaj çështje. Gjetja e numrit të telefonit, dëshmia e taksistit, të çonin të gjitha në drejtimin se makina tip “Passat”, ku kishte hipur Rruzhdi Hoxha, ishte në zonën e segmentit rrugor Dajt-Qafë-Mollë.

Policia mori një aksion në këtë segment rrugor, dhe në kontroll e sipër arriti të zbulojë një parcelë me 300 rrënjë kanabis. Droga, u asgjësua plotësisht. Ndërsa dy puntorët që shërbenin pranë kësaj parcele u arrestuan dhe gjatë marrjes në pyetje treguan se ata punonin për llogari të Ferdinand Rrushit.

Kjo ishte një provë e fortë, që bindi policët se Rrushi, njeriu që ata e mbanin të mbyllur në polici, ishte pikërisht personi se kishte dorë në zhdukjen e mikut të tij, Rruzhdi Hoxhës.

Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet paraditen e 6 nëntorit 2021 i mbuluar me zhavor e gurë në një greminë në Qafë Mollë prapa Malit të Dajtit.