Lezhë/ Memorial kushtuar Gazullorëve, kujtohet familja e shquar që në kohën e Skëndërbeut

Veprimtaria e Gazullorëve, një familje kjo e njohur ndër shekuj në historinë tonë kombëtare, që nis që në kohën e Skënderbeut, do të jetësohet përmes një memoriali, i cili po ndërtohet në Dajç të Lezhës.

Ky investim që simbolizon njerëzit më të shquar të Shqipërisë ndër vite, po realizohet me iniciative e famullitarit të deritanishëm të zonës, Dom Angjelin Krygja, sipas idesë së skulptorit Sadik Spahia, inxhinierit Sokol Gazulli dhe mbështetjes së studiuesit Dom Nik Ukgjini.

"Është një vepër me përmasa mjaft të mëdha dhe me shumë vlerë në aspektin historik, por edhe në aspektin si arkitekturë, si gjetje artistike."

Realizimi i këtij memoriali ishte planifikuar vite më parë, por kishte munguar mbështetja.

"Që 17 vite në përpara kishim grumbulluar materialin, duke qenë se Dajçi në perandorinë Osmane ka qenë komunë e Zadrimës dhe ka pasur shqetësime dhe përplasje. Ne krijuam një ide që të ndërtonim një memorial të thjeshtë, të paktën sa për t'i kujtuar."

Memoriali kushtuar Gazullorëve është planifikuar të përfundoj në muajin dhjetor, kohë e cila përkon me 75-vjetorin e ekzekutimit të albanologut, Dom Nikoll Gazulli, në Shkrel të Malësisë së Madhe./Ora News/