Tirana e kthen derbin në “lojë fëmijësh”, dominon 4-0 Dinamon

Në vigjilje të derbit të dytë në pak ditë mes Tiranës dhe Dinamos pati deklarata të forta ku Shkëmbi deklaroi se Tirana nuk duhet ta shikojë Dinamon si ekip të vogël sepse nuk luan me kalamajtë e lagjes por në fakt ashu ndodhi.

Bardheblutë dominuan përballjen e kampionatit në “Air Albania” vetëm pak ditë pasi u mundën në Kupë 2-0 nga rivalët e kryeqytetit duke u hakmarrë me një fitore të thellë 4-0.

Që në pjesën e parë, Tirana dha sinjale duke rrezikuar më shumë por vetëm në shtesën e këtij fraksioni gjen golin pas një topi të gjatë ku Seferi del i vetëm dhe në tentativën për të gjuajtur, Sidibe e çon në portën e tij.

Në pjesën e dytë edhe Dinamo krijon disa raste të rrezikshme por në 56’ Redon Xhixha përfiton nga mbrojtja e rivalëve duke dyfishuar rezultatin për Tiranën.

Edhe 5 minuta më vonë, sërish Xhixha del i vetëm përballë portierit Bakaj të cilin e mposht dhe me VAR pas disa minutas, goli konsiderohet i rregullt.

Goli i tretë bën Dinamon të dorëzohet ndërsa Tirana ka koha për të shënuar edhe njëherë tjetër me Hotin në minutën e 83’. Bardheblutë marrin kështu 3 pikë që e konfirmojnë dhe e shkëpusin në krye të renditjes./Ora News/.