Shkëmbi ndez derbin: Tirana nuk luan me ekipin e kalamajve por me Dinamon

Për pak ditë do të shikojmë edhe dy ndeshje derbi të tjera mes Dinamos dhe Tiranës. Të parën e fituan dinamovitët në duelin e Kupës ku u mbyll 2-0 ndërsa nesër do të përballen sërish e kësaj radhe për javën e 8 të Superiores. Në konferencën për shtyp, trajneri Bledi Shkëmbi foli për duelin duke prekur shumë tema, edhe atë të rivalëve.

“Jam i kënaqur me ekipin, po kapim vazhdimësinë, gjatë 90 minuta dhe çdo ndeshje që po vjen do të jetë dhe më e mirë për ne. Në futboll është fusha të tregon çdo gjë, Skuka bëri shumë mirë dhe na ka dhënë shpresa për përmirësim. Duhet të jemi me këmbë në tokë. Ajo çka bëri Skuka nuk ishte gjithçka, duhet të bëjë akoma më shumë Skuka dhe i gjithë ekipi”.

Ndërkohë që u pyet se Tirana e nënvlerësoi derbin në Kupë me Dinamon, trajneri Shkëmbi ngriti dozen e rivalitetit duke ndezur dhe sfidën e radhës.

“Dëgjoj që Tirana e nënvlerësoj ndeshjen e Kupës, por ata nuk po luanin me ekipin e kalamajve por me Dinamon dhe me lojtarin më të mirë të Superiores.. Ishalla e nënvlerëson edhe nesër Tirana dhe të na shikojë si të vegjël. Mendoj do të jetë një ndeshje tjetër, Tirana do të kërkojë të reagojë, por shpresoj që edhe ne të bëjmë më mirë. Për mungesat te rivalët nuk më intereson, unë shikoj skuadrën time”, deklaroi trajneri Bledi Shkëmbi./Ora News/.