E mbushur me gropa dhe ujërat e zeza sheshit, rruga në Fresk pret "dorën" e bashkisë Tiranë

Rruga "Xhavit Isufi" në zonën e Freskut nuk ka njohur asnjëherë ndërhyrje. Dëshmi e kësaj është situata e degraduar në të cilën ndodhet.

Zonja Natasha, banore e kësaj lagjeje prej më shumë se dy vitesh, thotë se çdo mëngjes e gjen duke pastruar.

Rruga e prishur, ashtu sikundër dhe banorëve të tjerë, ja ka vështirësuar jetesën.

"Laj, fshij përditë. Çdo ditë ngrihem herët që të pastroj. Pata një propozim. U thashë mos votoni. I thoni deputetit të rregullojnë rrugën dhe më pas të votojmë."

Banorë të tjerë të zonës tregojnë se pluhuri dhe balta i ka shoqëruar gjithmonë sapo të kalojnë pragun e derës së tyre.

"Balta para derës, nuk po e shtrojnë."

Mungesa e kanalizimeve për ujërat e zeza ka bërë që ato të dalin në sipërfaqe duke i dhënë lagjes një pamje që vështirë se e gjen dhe në zonat më të largëta rurale.

"Këtu kalojnë dhe ujërat e zeza, turpi i Zotit. Infeksion dynjanja."

Thirrja shkon për ndërhyrje por besimi është i pakët.

"Kam thyer dhe këmbën këtu. Erdhën për votime dhe asgjë nuk është bërë".

Banorët thonë se këtë shqetësim ja kanë adresuar dhe minibashkisë, njësisë, 12, ku kanë kërkuar madje shtrimin e rrugës dhe me financimin e tyre.

Por ndërhyrjet pothuajse çdo javë të UKT për shkak të kanalizimeve i kanë penguar.

Edhe rruga kryesore "Muhamet Deliu" në Fresk është e mbushur me gropa dhe e amortizuar pavarësisht kërkesave për ndërhyrje.