Aksident në Sarandë, e plagosura transportohet me ambulancë për tek Trauma në Tiranë

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën në zonën e Qafë Gjashtës.

Në aksident janë përfshirë dy makina dhe si pasojë e përplasjes së mjetit tip “Mercedes-Benz” me një automjet “Opel”, janë shkaktuar dëme të shumta materiale në të dy mjetet.

Po ashtu ka mbetur e plagosur Yllka Pashako, 42-vjec nga Delvina, e cila pritet te transportohet drejt Tiranës për  mjekim më të specializuar, pasi sipas bluzave të bardha të Sarandës dyshohet të ketë dëmtim të legenit.

Ajo udhëtonte bashkë me burrin dhe një fëmijë  me automjetin “Opel”. Mendohet se shkak i aksidentit të jetë  një frenim i gabuar i një mjeti të tretë.

Aksidenti i pasdites së sotme ka ndodhur pikërisht në vendin ku u aksidentua rëndë një i ri rreth një muaj më parë.

“Sot, rreth orës 16:50 , në Qafë Gjashtë, një mjet tip “Opel”,  me drejtues shtetasin Th. P, është përplasur me një automjet tip “Audi”, me drejtuesi shtetasin T. D, si pasojë e aksidentit është dëmtuar pasagjerja në mjetin “Opel” shtetasja Y. P, e cila po transportohet për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.” – bën me dije policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon në të dyja rastet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve.