Biznesmeni i vrarë në Malin me Gropa, nxirret trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës nga gremina (VIDEO)

Policia ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha në orët e vona të pasdites së sotme.

Ai u zbulua nga qentë gjurmues në një greminë të Qafë Mollës, pas malit të Dajtit i mbuluar me zhavorr e gurë.

Viktima rezulton të jetë qëlluar me një plumb në kokë. Pas nxjerrjes nga gremina, trupi i pajetë u nis drejt morgut për ekspertizë ligjore për të përcaktuar shkakun.  

Policia ka ushtruar kontroll të gjithë zonës pasi ka dyshime se autori i krimit merrej me kultivim kanabisi.

Ai është arrestuar me 26 tetor si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik droge.

Fillimisht efektivët e policisë arritën të gjejnë një ditë më parë në zonën e Dajtit xhupin e viktimës më pas ndërmorën operacionin  e kërkimit masiv, ku u përfshinë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ruzhdi Hoxha rezulton të jetë larguar nga shtëpia rreth orës 23:00 të 20 tetorit.

I biri Saimir Hoxha denoncoi në polici se prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të.

Më 24 tetor djali bën kallëzimin në Komisariatin e Policisë Nr.5, dhe një ditë më vonë njoftimi i zhdukjes u publikua në ëeb-in e Policisë së Shtetit.

Prej këtij afati deri dje askush në publik nuk dinte për ngjarjen dhe vetëm më 5 Nëntor,  lajmi i rrëmbimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha doli në media.

Të shtunën, më 6 nëntor u zbulua i pajetë.