"Dhuna ndaj të miturve fenomen global", reagon ministrja Kushi pas dështimit kundër abuzimeve

Pas dhunës ndaj 6 vjeçarës në Kamëz, apo rastit tjetër në Gjirokastër ku doli dhe një herë në pah mosfunksionimi i sistemit të referimit, ministrja Arsimit mblodhi strukturat arsimore për të kërkuar më shumë vëmendje ndaj këtyre rasteve. 

Megjithëse prej ministrisë së Arsimit është deklaruar se janë shtuar punonjësit psiko-social në shkolla, fenomeni i mos-zbulimit të dhunës prej tyre vazhdon të jetë i pranishëm. 

Kushi është mjaftuar vetëm me një status në Facebook për të treguar se drejtuesve të shkollave, drejtorive rajonale dhe zyrave vendore, u ka kërkuar që të jenë më të vëmendshëm ndaj sjelljeve të nxënësve dhe të kenë më shumë komunikime me prindërit e tyre. 

“Theksuam nevojën e përhershme për vëmendje të shtuar ndaj përgjegjësisë që ka çdo mësues, drejtues shkolle, psikolog apo punonjës social, për komunikim të ngushtë me nxënësit, prindërit, familjen dhe gjithë komunitetin për të identifikuar në kohë çdo rrezik dhe për të parandaluar çdo rast të mundshëm të dhunës së të miturve, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje e kudo tjetër," shkruan ministrja.

Ministrja Kushi justifikohet me faktin se abuzimi me fëmijët është një fenomen global, qëndrim që të kujton deklaratën e ministres Elisa Spiropali, për përdhunimin e të miturës në Kavajë, duke e krahasuar me një skenë filmash.

"Dhuna ndaj të miturve është një fenomen i dhimbshëm global i cili rëndon jo vetëm mbi viktimat dhe familjet e tyre, por në mbarë shoqërinë. Prandaj edhe fokusi ynë në çdo kohë është trajnimi i të gjitha stafeve tona shkollore për identifikimin e hershëm të rasteve, trajtimin me përgjegjshmëri të tyre, e sidomos parandalimin në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”.