Etiopia bëhet si Siria/ Shpallet gjendja e emergjencës, të rriturit mund të armatosen për luftë me rebelët
Etiopia ndodhet në alarm nga rreziku i grupeve rebele antiqeveritare të cilat po avancojnë shpejt drejt kryeqytetit.
Të martën shteti afrikanoverior shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare pasi rebelët morën edhe dy qyteza rreth 400 km nga kryeqendra, Adis-Abeba.
Avancën po e prijnë luftëtarët e provincës veriore të Tigreit bashkë me Ushtrinë Çlirimtare Oromo, dhe qëllimi i tyre, sipas kryeministrit, Abi Ahmed, është ta rrëzojnë qeverinë e tij.
"Me këtë trajektore si po shkojnë gjërat, flitet që për çështje muajsh, madje javësh. Ata duan ta shkatërrojnë, jo ta rindërtojnë vendin tonë. Duan ta kthejnë Etiopinë në Libi dhe Siri," deklaroi kryeministri Ahmed, njëherësh fitues i Nobelit për Paqen.
Gjendja e jashtëzakonshme i lejon autoritetet etiopiane të pajisin me armë për luftë shtetasit në moshë ushtrie.
Konflikti në Tigrei nisi vitin e shkuar kur forcat e rajonit dhe tigretë që bënin pjesë në ushtri e vendit morën bazat ushtarake dhe provinca mbajti zgjedhjet pa miratimin e qeverisë qendrore.
Sipas një raporti të Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, të dyja palët janë fajtore për qindra vrasje.
"Disa nga këto mund të cilësohen edhe krime lufte apo krime kundër njerëzimit. Ndaj civilë ka pasur abuzime, vrasje të paligjshme, ekzekutime, tortura, dhunime seksuale e me baza gjinore, dhe shpërngulje të detyruara."
Lufta në Etiopi ka lënë mbi 400 mijë njerëz në uri absolute, me mijëra civilë janë vrarë dhe 2 milionë e gjysmë etiopianë janë shpërngulur nga veriu.


