Martini: Nuk na falet barazimi me Kastriotin. Ndreu përgëzon ekipin
Teuta gaboi në “Loro Boriçi” ndaj Kastriotit në një ndeshje që do t’i shërbente fitorja për të arritur sa më shumë kryesuesit por edhe mund të humbiste në fund dhe diçka të tillë e pranon edhe Edi Martini.
“Është mëkat të humbim dy pikë sot, kontrolluam pothuajse gjatë gjithë kohës lojën, kishim mundësi të mbyllnim ndeshjen e nuk shënuam. Ishin 2 minuta që na kushtuan jo vetëm golin por ne mund të na kushtonin edhe të dytin. Pas shënimit i lëshuam terren kundërshtarit e vuajtëm, nuk ishim të zot të dilnim, patëm mundësi ta mbyllnim po pastaj vjen ai gol dhe dënohesh. Ky kontingjent lojtarësh jemi. Janari vjen shumë shpejt, ne duhet të fokusohemi me këto lojtarë që kemi, me shumicën e tyre jam i kënaqur dhe analizat nuk janë për t’u bërë tani”, deklaroi trajneri i Teutës, Martini.
Në krahun tjetër, Ramadan Ndreu pati fjalë të mira për Kastriotin duke shprehur besim për vijëmësinë e kampionatit për krutanët.
“Ashtu siç shkoi loja duhej ta kishim fituar ndeshjen, patëm dy raste fatale, edhe një moment penalltie. Por duhet të them që jam i kënaqur se kishim para një skuadër të mirë, ekipin kampion. Skuadra pavarësisht momenteve të veçanta, në fund treguan që kemi karakter, nuk dorëzohemi e mund ta kishim fituar. E kemi përgatitur skuadrën që asnjë skuadër nuk arrin të na mposhtë e dominojë. Por të jem i sinqertë janë lojtare që duan kohë të përmirësohen, duhet ta kuptojnë që kanë vlera e besojnë te vetja, kjo na mungon ndoshta dhe kjo u pa sot.”, tha trajneri i Kastriotit./Ora News/.
