Kriza nuk ka fund për Partizanin, barazon me Egnatian. Ndalet edhe Teuta
Java e shtatë e Abissnet Superiore mbyllet me dy barazime, të dyja zhgënjyese për skuadra si Partizani dhe Teuta.
Të kuqtë janë në krizë të thellë dhe pa fitore pas 7 javësh ku edhe sot ndaj Egnatias e mbyllën ndeshjen 1-1 duke mbetur në zonën e kuqe të tabelës.
Në “Air Albania” u vendos gjithçka në pjesën e parë ku që në 6’ Egnatia kaloi në avantazh pas një gafe të Alban Hoxhës me Jackson që shënon lehtësisht.
Goli hedh përpara menjëherë skuadrën e Dajës dhe pas disa rasteve vetëm në sekondat e fundit arriti që të barazojë me Carën i cili me kokë e çon topin në rrjetë në 45+2’.
Pjesa e dytë është shumë e luftuar, dhe me Partizanin që kontrollon lojën dhe krijon por si gjithmonë siç e karakterizon këtë skuadër, nuk di të konkretizojë.
Sfida mbyllet 1-1 me Partizanin që është në një situate alarmante me vetëm 5 pikë e asnjë fitore.
Ndërkohë në “Loro Boriçi” për shkak të punimeve në “Niko Dovana”, Teuta priti Kastriotin në një ndeshje ku vendasit ishin të favorizuar por krutanët morën nje barazim me vlera 1-1.
Me pjesën e parë shumë të ekuilibruar, ishin kampionë në fuqi që në pjesën e dytë gjetën golin e parë me Grudën në 51’ por duke mos shënuar në rastet e tjera, u ndëshkuan nga Kastrioti në 80’ me golin e Mudrazijas.
Me këtë barazim Teuta mbetet e treta me 12 pikë ndërsa Kastrioti ka 5 pikë po aq sa Partizani./Ora News/.

