Nënkampionia e botës/ lda Lelo, kikboksieria vlonjate tregon tabutë dhe sfidat

Ilda Lelo është kikboksieria vlonjate e cila po thyen tabutë.Vajza nga Vlora prej vitesh po stërvitet në sportin ekstrem, një pasion i saj i nisur fillimisht për të mbajtur trupin në formë teksa tashmë është kthyer, siç tregon edhe ajo, në vetë jetën e saj.

Nënkamione bote e shpallur pak ditë më parë në kategorinë Wku, Lelo ishte një hap larg titullit kaq shumë të ëndërruar për të, një ndeshje që e humbi por fitoi zemrat e tifozëve të pranishëm në sallë.

"Kur thua nënkampione e botës nuk është titull i vogël dhe jam e kënaqur me veten dhe e nderuar. Por normalisht do të kisha dashur të fitoja titullin kampione. Jam kikboksiere në peshën 60-62 kg, së fundmi jam dhe boksiere profesioniste. Kam fituar tituj shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Titujt më të rëndësishëm që kam janë kampione e Europës në kikboks në peshën 60 kg dhe nënkampione e Botës në peshën 62.5 kg".

Ilda Lelo është mbajtëse gjithashtu e disa titujve kombëtarë teksa tregon se suksesi i saj vjen nga puna e palodhur dhe regjimi strikt në stërvitje dhe të ushqyer.

Tashmë Lelo ka filluar të stërvisë edhe vajza te tjera të apasionuara pas këtij sporti për ti dhënë atij një të ardhme.

"Një ditë përgatitje për një ndeshje fillon me vrapin e mëngjesit, vazhdon me seancën e parë të stërvitjes në drekë dhe seancën e dytë dhe të fundit në mbrëmje. Koha që kërkon është e madhe dhe nuk të lejon të bësh shumë aktivitete në jetën tënde."

Ndërsa përsa i përket aspiratave të saj, tashmë do tentojë me të gjitha forcat në sportin e boksit, kalim ky nga një sport ekstrem në tjetrin që dhuron mjaft sfida dhe emocione.

Lelo së bashku me vajzat e angazhuara në këtë sport ekstrem janë mbështetëset kryesore të Tetorit Rozë dhe luftës kundër kancerit të gjirit teksa kanë parashikuar një aktivitet ditën e dielë në Pallatin e Sportit "Flamurtari" për të rritur ndergjegjësimin me anën e sportit për gratë dhe femrat vlonjate për ta parandaluar këtë sëmundje.