Samiti G20: T'u dorëzojmë vendeve të varfra dozat e premtuara të vaksinës së Covid-19

"Të nderojmë premtimet e mbajtura e t'u dorëzojmë vendeve në nevojë dozat e premtuara të vaksinës, të veprojmë në shumë plane e të mos bëjmë më gabime", është apeli i bërë nga kryeministri italian, Mario Draghi, në hapjen e punimeve të samitit të vendeve të G20 që më 30-31 tetor, zhvillon punimet e tij në Romë.

Italia mban presidencën e grupit të vendeve më të fuqishme të botës, i cili që prej krijimit më 1999, mblidhet për herë të parë në Itali e me sfida globale nga më madhore në historikun e tij

"Dy vite nga nisja e pandemisë, është kënaqësi të takohemi, e duhet ta nisim duke parë të ardhmen me më shumë optimizëm"; u shpreh ai. E nuk duhet të gabojmë më. Veprimi shumëplanësh është përgjigja më e mirë ndaj të gjitha problemeve që duhet të përballojmë sot; nga pandemia, ndryshimet klimatike, ekonomia e taksimi i drejtë e i barabartë."

Samiti G20: T'u dorëzojmë vendeve të varfra  dozat e

Kryeministri italian tregohet i kujdesshëm në fjalët e tij duke kujtuar se "Pandemia nuk ka përfunduar.  Ka pa barazi të jashtëzakonshme në shpërndarjen globale të dozave të vaksinës, tha ai. Në vendet e zhvilluara vetëm 70% e popullsisë është vaksinuar me dozën e parë e në vendet e varfra ky koeficient bie në 3%. Janë diferenca të papranueshme e kërcënojnë ekonominë botërore",

Objektivi i parë i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetit është që brenda vitit 2021 të arrihet vaksinimi i 40% të popullsisë e kreu i ekzekutivit italian i bën thirrje vendeve të G20 të bëjnë ç'është e mundur që brenda gjysmës së parë të vitit 2022, të vaksinohet  70% e popullsisë globale.

"Duhet të bëjmë ç'është e mundur për të kapërcyer pengesat tregtare në shpërndajen me vaksina e të investojmë tek kërkimi shkencor", u shpreh ai.

Në samitin botëror të shëndetit, Global Health Summit, mbajtur gjatë muajit shtator po në Romë, u premtua furnizimin me vaksina për vendet e varfra. "Ne duhet të nderojmë premtimet tona", tha Draghi.

"Duhet të jemi ambiciozë e kurajozë në të gjitha fushat për të punuar së bashku", u shpreh i "zoti i shtëpisë" i këtij eventi ndër më të rëndësishmit ndaj politikave globale gjatë këtyre dy vite të vështira emergjence shëndetësore globale./Ora News/