Mblidhet G20 në Romë, në fokus pandemia, ekonomia dhe klima globale
Shëndeti, ekonomia, klima globale janë tre temat e mëdha me pritshmëri konkrete nga vendet më të fuqishme të botës të mbledhur në Romë në samitin dy ditor të grupit G20
Pandemia globale, ambienti dhe rimëkëmbja ekonomike janë në axhendën dy ditore të punës, (30-31 tetor 2021) të vendeve që përbëjnë 80 % të PPB së ekonomisë botërore e 75% të tregtisë globale.
Të pranishëm në samitin e Romës janë krerët më të lartë shtetërore qeveritarë të këtij grupi, që kanë mbërritur qysh ditën e djeshme me mungesën e Presidentin rus Vladimir Putin e atij kinez Xi Jiping e që do jenë pjesëmarrës përmes video konferencës.
Seksioni i punimeve gjatë ditës së sotme do të fokusohet tek rimëkëmbja e ekonomisë e përballimi i pandemisë globale. Në një event të veçantë do të diskutohet dhe "Mbështetja e sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe sipërmarrësve femra për të ndihmuar zhvillimin e tyre."
Gjatë ditës së sotme priten të zhvillohen takime të shumta dypalëshe si ai mes Kryeministrit italian Mario Draghi e Kryeministrit britanik Boris Johnson, KM italian e Presidentin turk Erdogan, Presidentin francez e Presidentit Joko Widodo, vend që do të marrë dhe presidencën e grupit të G20 për vitin 2022.
Një nga marrëveshjet më të pritshme për t'u realizuar në këtë samit është ai mbi klimën për të çuar në zero ndotjen e ajrit nga dioksidi i karbonit, brenda vitit 2050, por ndaj të cilës ende nuk është gjetur dakordësia me Kinën.
KIna ka premtuar reduktimin e ndotjes në 65% e të dikosidit të karbonit brenda vitit 2060.Më të fuqishmit e botës krijojnë dhe 80% të ndotjes globale e propozimet e tyre janë realizmi për 10-20 vitet e ardhshme të një plani industrial dekarboizimi.
Mbi krizën klimatike ajo ç'ka pritet nga samiti i G20 shfaqet në apelin e bërë nga Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen e cila pak orë më parë është shprehur se "G20 duhet të arrij t'ju dorëzoj vendeve në zhvillim rreth 100 miliardë dollarë në vit për financimin e përballimit të krizës klimatike që prej viti 2022 e jo duke pritur 2025."
Furnizimi me vaksina anti-Covid, shpërndarja e drejtë e dozave të saj për të gjitha vendet, duke evituar diferencën e madhe mes vendeve të varfëra e vendeve të zhvilluara është një tjetër temë e rëndësishme në këtë samit të G20.
20 më të fuqishmit e botës synojnë të vaksinojnë kundër virus Covid 19, rreth 70 % të popullzisë globale brenda vitit 2022 e 40% të popullsisë globale brenda këtij viti. Ka një diferencë mjaft të madhe të furnizimit të dozave mes vendeve të varfëra e të pasura.
Në Afrikë është arritur vaksinimi i vetëm 5% të popullsisë e në përgjithësi në vendet me të ardhura të ulëta është vaksinuar vetëm 2%.
Ndërsa në vendet e zhvilluara rezulton e vaksinuar 63% e popullsisë e e 55 % në vendet ku popullsia ka të ardhura mesatare.
"Deri më sot premtimet për të shpërndarë miliarda doza për vendet në nevojë nuk janë mbajtur e ka mbërritur tek ta vetëm 15% e dozave të premtuara, sinjalizon Organizata Botërore e Shëndetit.
Për të rritur këtë sipas Drejtoreshës operative të FMN, Kristalina Georgieva, "janë të nevojshme 20 miliardë dollarë menjëherë".
