Korçë, përplasi me makinë një vajzë të re, prangoset 38-vjeçari

Përplasi studenten pranë universitetit të Korçës, policia identifikon dhe kap autorin.

Bëhet fjalë për 38-vjeçari, Ilir Dhami i cili është arrestuar disa orë më parë, pasi përplasi një studente e cila fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit u kap në afërsi të banesës së tij në lagjen 12, ndërsa u sekuestrua edhe mjeti tip Benz me të cilin përplasi 18-vjeçaren.

Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit paraprak datë 29.10.2021, i cili bën fjalë për një aksident rrugor, informojmë se në vijim të veprimeve të kryera, specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit", të shtetasit I. Dh., 38 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas duke drejtuar mjetin tip "Benz", ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen L. B., 18 vjeçe, banuese në fshatin Sheqeras, Maliq dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 18-vjeçarja pas mjekimit në Spital u largua në banesë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.