Zhang nuk heq dorë nga Interi dhe jep sinjale. Lautaro firmos deri në 2026
Një ditë e rëndësishme ishte sot për Interin. Asambleja e klubit u mblodh për të miratuar bilancin e sezonit të kaluar ku konfirmohet tkurrja e fortë me mbi 200 mln Euro humbje për shkak të pandemisë por për drejtuesit ka optimizëm.
Presidenti Zhang foli në Asamble në një lidhje online me drejtuesit e Interit ku konfirmoi impenjimin e Suning për të vijuar më tej me klubin italian për të çuar përpara projektin që sipas tij është inovativ dhe global.
Zhang largoi zërat për shitjen e aksioneve nga Suning madje sinjali i qartë për vijimin e këtij projekti ishte zyrtarizimi i rinovimit të një nga lojtarëve më të rëndësishëm.
Lautaro Martinez ka hedhur firmën në kontratën e re me Interin që do ta lidhë atë deri në vitin 2026 me një pagë neto 6 mln Euro.
Ky sinjal nga klubi tregon edhe njëherë se Suning nuk ka ndërmend të largohet teksa fundi i këtij sezoni do të jape më shumë përgjigje nëse do të qëndrojnë apo do ta shesin klubin italian./Ora News/.
